Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 16:21

Tiranë – Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e opozitës, Edi Rama, se po ushtron presion të papranueshëm ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së.

Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Albana Mustafaraj, u shpreh se “ditën e sotme, Rama, në një akt shantazhi ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ, ndërmori serialin e tij të sulmeve të bazuara në një realitet që nuk ekziston”.

Mustafaraj tha se “Rama shpalli sot përpara ansambleistëve të tij dhe mediave, fitoren madhështore të 8 Majit në mbarë vendin dhe u përpoq të mbulojë humbjen e tij partiake në zgjedhjet vendore, duke shpallur disfatat për fitore”.

Duke iu referuar rezultateve si dhe numrit të  votave që koalicioni i djathtë mori në zgjedhjet vendore të këtij viti, Partia Demokratike, i drejtohet përmes kësaj deklarate  kryetarit Rama, duke thënë se “140 mijë vota më pak të qytetarëve shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, krahasuar me aleancën qeverisëse që mori 17 % vota më shumë në mbarë vendin, përbëjnë disfatë  të thellë reale tuajën dhe të koalicionit që udhëhoqe apo një fitore tuajën imagjinare?”.

Lidhur me zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës, Partia Demokratike i kujtoi Ramës se “21 mijë votat e  humbura në Tiranë, krahasuar me vitin 2007, dhe 93 votat më pak se kandidati demokrat, Lulzim Basha, në vitin 2011, është humbja personale e radhës, apo sërish fitorja në imagjinatën tuaj që në realitet nuk ekziston?”.