Lajme Shqip Friday, 02 August 2013 13:20

Tiranë – Partia Demokratike doli me një deklaratë për shtyp duke theksuar se kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka mashtruar pasi premtoi një ministri të veçantë për emigracionin, por nuk e realizoi një gjë të tillë.
“Shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Edi Rama s’ka ndërmend të mbajë asnjë premtim që u dha qytetarëve para 23 qershorit. Mes shumë premtimeve prej të cilave ka hequr dorë, është dhe ngritja e një ministrie të veçantë për emigracionin.
Por jo vetëm kaq, Edi Rama gënjeu publikisht duke deklaruar se nuk e ka premtuar një gjë të tillë. Edi Rama mashtroi në këtë mënyrë rreth 1 milion qytetarë që punojnë dhe jetojnë jashtë territorit shqiptar, duke faktuar se për të interesi i vetëm është karrigia kryeministrore dhe jo t’u shërbeje qytetareve.
Partia Demokratike i bën sot publikisht një pyetje zotit Rama. 
A keni deklaruar ju zoti Rama për gazetat shqiptare të Athinës, citoj: “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur prej emigracionit”?!
Më e pakta që mund të bëni sot zoti Rama është t’u kërkoni ndjesë emigrantëve shqiptare për talljen dhe fyerjen publike që ju bëtë pa u mandatuar ende si kryeministër.
Shqiptaret po e kuptojnë çdo ditë se mazhoranca e 23 qershorit u ndërtua mbi mashtrimin dhe se për kryeministër do të kenë një gënjeshtar që si interes të vetëm ka atë personal!” thuhet në deklaratën e PD.