Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 18:11

Tiranë-Partia Demokratike reagoi sot me anë të një deklarate për shtyp pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke theksuar se kreu i PS-së, Edi Rama flet për institucione të pavarura, por të tilla ai konsideron vetëm ato që i vendos nën kontrollin e partisë. 

“Z. Rama sot gajasi shqiptarët me hipokrizinë e tij të radhës që lëshoi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, sipas së cilës ai nuk dëshiron Avokatin e Popullit nga Partia Socialiste apo që të marrë urdhëra prej tij e partisë që ai përfaqëson”, u shpreh zëdhënësja PD-së, Albana Mustafaraj. 

Sipas saj, “Z. Rama vetë harroi, por shqiptarët natyrisht që jo, se ai vetëm dy javë më parë propozoi për në bordin e Bankës së Shtetit, insititucionit më të depolitizuar të vendit, militanten e thekur të PS-së, anëtaren e kryesisë besnike të partisë së tij, zj. Ermelinda Meksi”.

“Z. Rama flet për institucione të pavarura, por të tilla ai konsideron vetëm ato që i vendos nën kontrollin e partisë”, theksoi Mustafaraj.

Mustafaraj u shpreh se “PD dëshiron të pyesë z. Rama, kur je serioz dhe i vërtetë, kur cicëron për pavarësi të institucioneve kushtetuese, apo kur në emër të kësaj pavarësie emëron në krye të tyre drejtuesit kryesore të Partisë Socialiste?”.

“Partia Demokratike beson se qytetarët shqiptarë dinë të japin përgjigjen më të mirë dhe më të drejtë kësaj pyetjeje”, përfundoi deklaratën zëdhënësja e PD-së Albana Mustafaraj.