Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 08:25

Tiranë – Partia Demokratike hodhi poshtë si të pavërteta akuzat e kreut të Partise Socialiste,  Edi Rama, kundër Kolegjit Zgjedhor dhe familjarëve të Kryeministrit.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, në një deklaratë për mediat, tha se “Edi Rama akuzoi dje gjatë ditës disa herë për korrupsion gjykatësit e Kolegjit, për vendimin e tyre me të cilin hodhën poshtë kërkesën dhe përpjekjen mjerane të tij për t’i rrëmbyer fitoren kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Kurse sot për të ngushëlluar vehten për disfatën e merituar personale, që i rezervuan më 8 maj qytetarët e Tiranës, Rama në mediat e tij ndërmerr sulmin e radhës e të paskrupullt ndaj familjarëve të Kryeministrit dhe konkretisht ndaj vajzës së tij, e cila sipas Ramës, paska shpërndarë nga zyrat e saj milionat e ryshfetit të gjyqtarëve”.
“Partia Demokratike i rikujton z. Rama se ndëshkimi me 4 gara dhe 10 909 vota ishte para së gjithash përgjigja e qytetarëve ndaj moralit të shpifjeve, trillimeve e sulmeve personale ndaj kundërshtarit politik dhe familjarëve të tij”, tha zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj.