Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 18:32

Tiranë – Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të selisë rozë, Edi Rama, i cili nëpërmjet një editoriali dërguar mediave mbrëmjen e djeshme, shprehet se ” OSBE/ODIHR në raportin e tij mbi zgjedhjet vendore konfirmoi mungesën e standarteve, ndërsa i cilëson ato si mbështetje të hapur ndaj dhunës dhe trazirave në vend”.

Në një deklaratë për mediat, përmes zëdhënëses Albana Mustafaraj, Partia Demokratike shprehet se “kreu i PS-së e lexon gabim raportin e ndërkombëtarëve” dhe se sipas selisë blu, “raporti i OSBE/ODIR i cilëson zgjedhjet e 8 majit si transparente dhe pozitive dhe thekson se një vlerësim të tillë ndërkombëtarët nuk do ta bënin kurrë nëse nuk do të ishte i vërtetë”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se “Raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm”.

Gjithashtu, sipas selisë blu, vlerësimi që raporti i bën zgjedhjeve të 8 majit është vlerësimi më maksimal dhe  më i qartë që zgjedhjet në Shqipëri kanë marrë për vite me rradhë.

Në deklaratën e PD-se thuhet gjithashtu se,  “OSBE/ODIR nuk do të bënin kurrë këtë vlerësim, nëqoftëse nuk do të ishin plotësuar standartet e garës së lirë dhe standartet e transparencës, që  janë edhe kushtet themelore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Ndërsa  i cilëson deklaratat e kryetarit të PS-së, si mbështetje e hapur ndaj dhunës dhe trazirave në vend, zëdhënësja e selisë blu theksoi se, “në këtë letër të hapur, kreu i opozitës  është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri”.

Partia Demokratike fton gjithashtu PS dhe të gjithë forcat politike në vend që të shohin drejt së ardhmes dhe të punojnë së bashku për reformën zgjedhore ashtu sikurse eshte punuar për atë të vitit 2005 dhe ta kompletojnë atë me rekomandimet e OSBE/ODHIR, pasi sipas saj, qytetarët shqiptarë më shumë se kurrë kanë nevojë për debate dhe diskutime që lidhen me të ardhmen e tyre.