Lajme Shqip Sunday, 20 October 2013 14:37

Tiranë-Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë per shoë në një kohë që sipas saj krimi ne vend trefishohet. 

Në një deklarate për mediat, deputeti i PD-së, Keltis Kruja u shpreh se ndërsa Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit janë përfshirë në marrëzinë e shkarkimeve kolektive, dhe në ethet e emërimit të oficereve të tyre besnikë, në vend po ndodhin cdo ditë, vjedhje, krime, aksidente, dhe vrasje. 

“Javën e fundit janë trefishuar vjedhjet e banesave, janë dyfishuar vjedhjet e makinave, është rritur dyfish krimi i vendosjes së lëndëve eksplozive në banesa dhe biznese. Janë rritur aksidentet dhe vrasjet, dhe ka rene fuqia zbuluese e policisë”- tha ai. 

Sipas tij, qeveria e sotme premtoi reduktim të krimit, por ngjarjet e ditës tregojnë se krimi është trefishuar dhe pasiguria e jetës është rritur në nivele të frikshme. 

“Qeveria dhe Ministri i brendshëm po veprojnë ne fakt me dorë të hekurt kundër oficerëve profesionistë ne kundërshtim të plotë me ligjin për Policinë e Shtetit, dhe po i lënë dorë të lirë krimit. Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo situatë dramatike, dhe gjendet pranë të afërmve dhe familjarëve të viktimave”- tha Kruja, raporton ballkanweb.

Ai theksoi se opozita nuk është ajo që kërkon përfitim politik prej viktimave dhe funeraleve, sic ka bërë rëndom në 8 vite kryeministri i sotëm, por është e shqetësuar për pasigurinë që shoqëron sot jetën e qytetarit shqiptar. 

“Ne i kërkojmë qeverisë të heqë dorë nga spektakli i ekraneve, dhe të zbresë në terren e të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur jetën e qytetarëve të vendit. Shqiptaret meritojnë te kenë një qeveri që të garantojë sigurinë e jetës së tyre dhe jo një tufe zyrtarësh që rendin kush e kush të pushtojë më parë ekranet, revistat e gazetat”- tha ai.