Lajme Shqip Sunday, 30 March 2014 15:32

Krijohet ngërçi i parë i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike. Pas nisjes së procesit të anëtarësimeve të reja brenda strukturave të Partisë Demokratike, procesi i reformimit të PD-së, duket se ka ngelur në vend pasi strukturat organizative të partisë nuk kanë nxjerrë ende një udhëzim për datën përfundimtare të këtij procesi. Shkaku kryesor duket se është bërë reformimi i PD-së në Tiranë. Në udhëzimin e tij të parë, Basha theksoi se procesi i reformimit të Partisë Demokratike do të bëhet nëpërmjet delegatëve, por duke përjashtuar Tiranën, duke pohuar se për kryeqytetin do të ndiqet një procedurë specifike. Por që nga muaji janar kur nisi edhe procesi i anëtarësimeve të reja, për kryeqytetin nuk ka ende një udhëzim se si do të funksionojë kjo gjë.

Burime nga selia blu bënë me dije për gazetën “Shqiptarja.com”, se është vet kreu i Partisë Demokratike që po e vonon këto proces, pasi nuk ka ndarë ende mënyrën se si do të reformojë degën më të madhe të forcës politike që ai drejton, degë e cila ka të gjitha strukturat organizative. Fillimisht Basha vendosi që të dërgonte delegat që përbëheshin nga ish-deputetë të PD-së në vite, në mënyrë që të nisnin procedurat për të rifreskuar listat e anëtarësisë në të gjitha degët e selive të Partisë Demokratike. Por nga ky proces u përjashtua PD-ja e Tiranës, e cila aktualisht drejtohet nga deputetit Aldo Bumçi. Por këtu lind edhe problematika e parë për procesin e zgjedhjeve brenda partisë më të madhe opozitare e cila do të çojë në një zgjatje edhe më të madhe të këtij procesi.

Pavarësisht se në rrethe anëtarësimet e reja janë pothuajse në mbarim, për Tiranën kjo nuk ka nisur ende, çka do të thotë se do të kërkojë edhe më shumë kohë që të përcaktohen strukturat e reja drejtuese të PD-së. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se fillimisht Bashës do t’i duhet të skedojë të gjithë anëtarët e PD-së në Tiranë, ashtu si në rrethet e tjera për të kapur “tradhtarët” të cilët nuk dhanë votën për demokratët në 23 qershor. Por krahas kësaj, kjo listë do të hasë edhe problemet më të mëdha. Duke qenë se anëtarësia e demokratëve në kryeqytet u fry në mënyrë fiktive nga punonjësit e ish-administratës Berisha, skedimi i saj do të kërkojë një kohë edhe më të gjatë, pasi një pjesë e punonjësve janë etiketuar si “tradhtarët” e partisë.

Kësisoj, që të përfundojë i gjithë ky proces, do të duhet edhe një hark kohor së paku edhe për një muaj, çka do të thotë se forca më e madhe opozitare do të vijojë që të jetë Partia individ, pasi që prej 8 muajsh ka vetëm një kryetar formal dhe asnjë zyrtar tjetër me mandat të plotë. Konkretisht, në PD ka vetëm një kryetar grupi që është i komanduar, një nënkryetar grupi të komanduar, një sekretar grupi të komanduar dhe një zëdhënëse të grupit parlamentar të komanduar. Ndërsa Kryesia, Këshilli Kombëtar, Kuvendi Kombëtar, kryetari i FRPD etj, nuk kanë mandat të ligjshëm në bazë të statutit të PD-së, pasi nuk janë bërë ende zgjedhjet e paralajmëruar nga Basha.
(shqiptarja)