Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 08:07

Tiranë – Partia Demokratike reagoi ndaj editorialit të kryesocialistit Edi Rama, i cili akuzon qeverinë si shkaktare për situatën e krijuar në minierën e kromit në Bulqizë.

Në deklaratën e saj për mediat Partia Demokratike e cilëson letrën e Ramës si “pamflet bajat”, duke theksuar se as disfata e radhës në zgjedhjet e 8 majit dhe as disfata e tij personale nuk e ka ndarë atë nga e shkuara.

Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, tha se “në një letër tjetër të hapur, z. Edi Rama shpalos sërish fjalorin dhe mentalitetin e tij identitk me të etërve të tij, duke faktuar se as disfata e radhës në zgjedhjet lokale të 8 majit në tërësi, as disfata personale e katërfishtë e tij në Tiranë në këto zgjedhje, nuk kanë bindur atë të lërë mbrapa të shkuarën”.

“Në pamfletin e tij bajat, të mbushur me vrer dhe fjalë kazani ndaj kundërshtarit të tij, z. Rama, kryetari i partisë më të madhe opozitare, nuk sjell as edhe një propozim të vetëm në interes të jetës së grupit të minatorëve në grevë, duke dëshmuar se ai ka përçmim për qytetarët e këtij vendi. Ai njëlloj si ata që për llogari të z. Rama dhe karriges së tij, manipulojnë çdo ditë me vuajtjen dhe dhimbjen e minatorëve, aludon dhe shpreson se do të mund të përjetojë gëzimin e lajmit të fatkeqësisë së minatorëve dhe ta shpallë atë si fitore të madhe të tijën e të Partisë Socialiste”, tha zëdhënësja e PD-së.