Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 15:15

Tiranë- Partia Demokratike ka depozituar sot në prokurori kallëzim penal për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Përfaqësues të PD, Oerd Bylykbashi dhe Arben Ristani kanë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme, kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahirin lidhur me shkarkimet dhe emërimet brenda një ditë në strukturat drejtuese të policisë së shtetit. 

Pas daljes nga Prokuroria e Përgjithshme, Ristani argumentoi kallëzimin penal ndaj Ramës e Tahirit. 
Ristani theksoi se kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë shkelur ligjin me emërimet në Policinë e Shtetit, duke nisur nga drejtori i përgjithshëm i policisë, 2 nëndrejtorat dhe deri drejtorët e policive në qarqe të vendit.

“Është shkelur haptazi ligji për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe pikërisht neni 21 i Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, i cili thekson se personi i cili do të emërohet në pozicionin e drejtorit të Policisë së Shtetit duhet së pari, të jetë i shkolluar në Akademinë e Policisë, të ketë shërbyer të paktën 3 vjet me gardën si drejtues, të ketë një eksperiencë jo më pak se 16 vite punë si punonjës policie, te cilat personi qe u emerua nuk i ka” ka deklaruar deputeti Arben Ristani në një prononcim për mediat pas daljes nga Prokuroria, shkruan BW.

“Rama dhe Tahiri vazhdojnë të shkelin ligjin kanë pandjeshmëri ndaj njerëzve dhe ligjit. Ka kritere tek emërimet që janë laksative dhe nuk lenë vend për ekuivok dhe interpretime. Kështu vepruan dhe për drejtorët në qarqe dhe 2 nëndrejtorët në Policinë e Shtetit”, theksoi Ristani.

Sipas Ristanit kjo vepër penale dënohet me heqje lirie deri në 7 vjet burg. 
“Emërimi i drejtorit të Policisë së Shtetit u bë nga kryeministri, kurse 2 nëndrejtorët janë të ministrit dhe të dy kanë kryer paligjshmëri” .