Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 20:30

Tiranë-Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratës së një dite më parë të kryesocialistit Edi Rama, i cili u shpreh se “ne, vijoi ai, e mbështesim pa asnjë lëkundje hetimin dhe vetë Prokuroren e Përgjithshme, që gjendet nën presionin e pushtetit”.

Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj deklaroi se “në daljen e tij të djeshme, zoti Rama, faktoi se ishte ai që qëndronte prapa pretencës televizive të Ina Ramës, ndaj mbrojtësve të institucioneve Kushtetuese”.

Sipas saj, “Edi Rama falenderoi zonjën Ina Rama, për shpalljen e tij të pafajshëm apo amnistinë e tij si organizatori kryesor i 21 Janarit 2011, mbasi në pretencën e saj televizive mbi 90 minuta, zonja Ina Rama shpalli mbrojtësit të isntitucioneve kushtetuese të vendit ashtu siç i kishte shpallur zoti Rama një vit më parë, si vrasës me dashje, kurse ultimatumin e zotit Rama drejtuar Kryeministrit të vendit më 20 janar: “largohu ose do kalosh mbi kufoma”, e vlerësoi si një retorikë të thjeshtë”.

Partia Demokratike, shtoi ajo, “i thotë zotit Rama mos u gëzo para kohe se, deklaratat për pafajësinë tënde në organizimin e grushtit të shtetit më 21 janar, i kanë këmbët e shkurtra, madje, ato nuk i beson as edhe ti vetë”.

Partia Demokratike, tha Mustafarai thekson edhe njëherë se, pretenca publike televizive prej 90 minutash e Prokurores së Përgjithshme është e paprecedent në historinë e një vendi të lire, akuzat e saj për vrasje me dashje ndaj oficerëve të Gardës, që me trimëri, burrëri, heroizmin e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe hodhën në lanë mandatet e ëndërruara të puçistëve, dëshmojnë thjesht urrejtjen por panikun që ka mbërthyer klanin e atyre që, tek përmbysja me dhunë e pushtetit legjitim, kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre.

Partia Demokratike, shtoi ajo, i deklaron edhe njëherë zotit Rama se, hetimi i pavarur i 21 janarit 2011, identifikimi i ideatorëve, organizatorëve, sponsorizuesve të 21 janarit, si dhe autorëve të dhunës tragjike dhe rrethanave të saj, janë zotimi absolut i kësaj mazhorance.

Ky hetim, nënvizoi Mustafarai, nuk do mund të pengohet as nga pretencat tuaja të përbashkëta televizive me Prokuroren e Përgjithshme, nga etiketimet që ju u bëni punonjësve që mbrojtën rendin kushtetues të vendit si vrasës me dashje dhe që së shpejti do t’i shpallni vrasës me pagesë, as nga prishja e provave dhe zhdukja e dëshmive që faktojnë gjithçka rreth skenarit të 21 Janarit 2011.

Në mbledhjen e grupi parlamentar të PS-së, Rama akuzoi maxhorancën “për sulme vulgare ndaj Ina Ramës”, ndërsa pohoi vullnetin e opozitës “për një shtet të së drejtës, për të respektuar ndarjen kushtetuese të pushteteve dhe institucioneve të pavarura”.