Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 13:11

Tiranë – Partia Demokratike akuzoi sot Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se “në panikun e dështimit të fushatës, po vazhdon si rrugë të vetme politikën e përbaltjes përmes shpifjes ndaj kundërshtarit”.

“Dje ai akuzoi Kryeministrin e vendit se po përdorë mjete fluturuese në fushatën e tij. Me sa duket, zotit Rama, ngaqë zvarritet vetë, i duket sikur të tjerët fluturojnë”, thuhet në një njoftim për shtyp të PD-së.

Partia Demokratike informoi gjithashtu se Kryetari i saj dhe njëkohësisht Kryeministri i vendit, në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur helikopterë privatë apo shtetërorë që nga hapja e fushatës.

“Padyshim arsyeja e kësaj akuze të pavërtetë qëndron në axhendën intensive të takimeve entuziaste të Kryeministrit dhe Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pas së cilës nuk qëndrojnë as helikopterë, as qilimë fluturues, por frymëzimi nga qytetarët dhe pritja e tyre, pasioni elektoral, energjitë dhe disiplina e hekurt e Kryetarit të Partisë Demokratike, që po konturojnë një fitore të bukur e të thellë më 8 maj në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë të të gjithë kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”, përfundon njoftimi për shtyp i PD-së.