Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 11:08

Durrës – Për zgjedhjet vendore të 8 majit, në Bashkinë e Durrësit janë regjistruar 153.234 persona me të drejtën e votës për të zgjedhur, të cilët do të votojnë në 164 qendra votimi dhe do të zgjedhin njërin mes dy kandidatëve për postin e kryebashkiakut dhe këshilltarët bashkiakë për të cilët konkurrojnë 31 parti politike.
Halisa Domi, sekretare e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve Nr. 8, e cili mbulon Bashkinë e Durrësit, tha se në garë për kreun e Bashkisë së Durrësit janë regjistruar vetëm Ferdinand Xhaferraj, që përfaqëson Partinë Demokratike dhe koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, dhe Vangjush Dako, që përfaqëson Partinë Socialiste dhe koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”. 
Kryetari aktual i bashkisë Vangjush Dako është zgjedhur në këtë post në vitin 2007 nën siglën e PS, ndërsa rivali i tij në zgjedhjet e ardhshme të 8 majit, Ferdinand Xhaferraj, në respekt të ligjit tashmë ka dorëzuar mandatin e deputetit të qarkut të Durrësit.
Në garën për anëtarët e Këshillit Bashkiak, përveç 29 partive politike në përbërje të dy koalicioneve, janë regjistruar si subjekte më vete Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut.
Sipas Domit, dokumentacioni për kandidatët dhe subjektet politike është dorëzuar i plotë brenda afateve ligjore. “Listat e kandidatëve për këshilltarë të propozuar nga forcat politike do të bëhen të njohura brenda datës 8 prill,” përfundoi Domi.
Procesi i dorëzimit të dokumentacionit ka përfunduar edhe në KZAZ nr 9 dhe nr 10, të cilat mbulojnë përkatësisht bashkitë dhe komunat Shijak, Rrashbull, Xhafzotaj dhe Gjepalaj si dhe Sukth, Manëz, Maminas, Ishëm dhe Katund i Ri.