Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 16:27

Tiranë – Partia Demokratike reagoi sot ndaj tenativës për vrasjen e kandidatit për kryetar të komunës së së Dajtit, Besim Kuka, mbrëmjen e djshme.

Në një prononcim për mediat zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, u shpreh se “mbrëmë në darkë kocka mafioze e Edvin Kristaq Ramës, eksponent i krimit të Partisë Socialiste, qëlluan 4 herë në drejtim të kandidatit për kryetar të Komunës Dajt, Besim Kuka, me qëllimin e vetëm makabër për të fituar zgjedhjet, duke eliminuar fizikisht kundërshtarin politik”.

Duke dënuar këtë akt të shëmtuar kriminal, PD i kërkon Edvin Ramës të distancohet dhe të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë për këtë tentativë për vrasje.

“PD i bën me dije se për çdo dhunim, cënim, apo kërcënim të kandidatëve të PD-së në mbarë vendin, do të ketë një përgjegjës dhe vetëm një, dhe ky do të jetë Edvin Kristaq Rama, i cili e nisi fushatën elektorale të partisë së tij me një akt të rëndë kriminal për të dëshmuar moralin e tij politik”, tha zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi mbrëmë në zonën e Freskut, kur Kuka u qëllua me armë zjarri pas një konflikti me shtetasin Ylli Hidri, autori i ngjarjes.