Lajme Shqip Saturday, 12 April 2014 12:29

Deputetët e PD-së kanë zbuluar padashur dje, atë që përflitej prej kohësh, se SHISH- i i drejtuar nga Visho Ajazi Lika dhe i kontrolluar nga ish-kryeministri Berisha vijon të përgjojë eksponentët e majtë në qeveri, ashtu si më parë në opozitë. Ishministri i Brendshëm, Flamur Noka, tregoi përpara pasardhësit, Saimir Tahiri, një sms, për të cilin ai tha se ishte e marsit 2014 dhe i ishte dërguar nga kryeministri Rama, ku ai shprehte pezmatimin e tij për shifrat alarmante të kriminalitetit. Tahiri e pranoi mesazhin, por qartësoi se atë ua kishte dërguar bashkëpunëtorëve, ndërsa deputetët e majtë në Komisionin Hetimor për Lëvizjet në polici, thanë se ky përgjim i deputetëve dhe ministrave është shumë i rëndë dhe duhet hetuar, sepse prek sigurinë kombëtare. Përgjimi ndaj eksponentëve të majtë u zbulua dje si një skandal i radhës në Komisionin Hetimor për emërimet që janë bërë në polici gjatë qeverisjes së majtë, ku ish-ministri i Brendshëm,Flamur Noka i lexoi ministrit aktual, Tahiri një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga kryeministri Edi Rama. Ky mesazh, në të cilin gjoja shprehej shqetësimi i kryeministrit në lidhje me punën e ministrit si dhe rritjen e krimit në vend gjatë muajit mars, ngjalli debate të ashpra si dhe dyshime të forta në radhët e deputetëve të majtë në këtë komision, se nga e kishte prejardhjen. Ndonëse ministri Tahiri e justifikoi këtë mesazh, si njëri prej atyre që ai u ka dërguar vartësve, kjo sërish ngjall dyshime se, edhe nëse do të ishte kjo rruga që ka ndjekur, se në çfarë rruge është marrë ai për t’u bërë publik. “S’e kam problem t’i përgjigjem asnjë pyetje të komisionit. 

Atë mesazh e konfirmova se ja kam çuar dy bashkëpunëtorëve të mi. Besoj Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe ai e di se ku e ka marrë, e dini ju fort mirë, s’po i them se s’ka rëndësi, e megjithatë unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe të skuadrës së policisë së shtetit”-iu përgjigj Tahiri shqetësimit të opozitës. Por dyshimet e mazhorancës qëndrojnë pikërisht në një dekonspirim informacioni pikërisht nga Shërbimi informativ Shtetëror, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, pas akuzave të ministrit Tahiri se   nuk ka bashkëpunuar për zbardhjen e krimeve në vend. Deklarata e bërë nga deputeti Blendi Klosi për raportet e veçanta që ka Noka me kreun aktual të SHISH, Visho Ajazi Likën, sipas tij, tregon qartë burimin e përgjimeve të mesazheve private të bëra publike dje. “Z.Noka ka raport të rëndësishëm me kryetarin aktual të Shërbimit Informativ dhe duket qartë se nga i ka burimet e këtyre përgjimeve”, tha Klosi. Kjo i lë dhe një herë rrugë të hapur mazhorancës për dyshimet që ka hedhur edhe më parë në lidhje me mosbashkëpunimin e kreut të SHISH me qeverinë e re, por raportimin te opozita. Duket qartë se pikërisht organi i SHISH-it në vend është burimi kryesor i zbardhjes së mesazheve mes Ramës dhe Tahirit.

Reagon Braho

 Kreu i Komisionit të Sigurisë, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, i cilësoi një rrugaçëri politike gjithë atë çfarë ndodhi dje në Komisionin Hetimor në lidhje me skandalin përgjimeve. Ai tha se ish-ministri i Brendshëm, Noka, shquhet për vjedhje elektronike. “Është rrugaçëri politike çfarë do që të jetë përgjim, sajim apo montim. Nuk besoj se janë përgjuar celularët. Më shumë se përgjim janë lojëra telefonike apo marifete që i ngrenë në nivel të lartë intrigat politike dhe veçanërisht Flamuri shquhet për këto punë, grabitjesh elektronike”, tha Braho. 

Akuzat për përgjime 

Mëse një muaj më parë, u bë publik shqetësimi i Komisionit Parlamentar të Sigurisë se shumica e telefonëve të ministrave të qeverisë “Rama” ishin nën përgjimin e SHISH-it. Sipas deputetëve të majtë, anëtarë të komisionit, shërbimi i drejtuar nga Visho Ajazi Lika po vijonte një praktikë të nisur që kur e majta ishte në opozitë, duke rregjistruar bisedat apo mesazhet telefonikë të figurave të qeverisë. Sipas të dhënave, nën përgjim ishin ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai i jashtëm, Ditmir Bushati, i Financave Shkëlqim Cani, ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zyrtarë të lartë, por edhe deputetë. Në fillim të marsit media publikoi emrat e disa zyrtarëve që ishin në përgjim, ku listoheshin emrat e disa drejtorëve të rëndësishëm, por edhe deputetë.

Rama: Sms shpifje, Berisha: Gjykojeni vetë 

 Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një shpifje mesazhin dërguar ministrit të Brendshëm e publikuar nga opozita në lidhje kritikat për rendin në vend. “Sms-ja ime për Ministrin e Brendshëm?Një shpifje! Mendimi im për Saimir Tahirin? Ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”, shkruan Rama në Twitter. Ndërkohë që i pari që reagoi në rrjetin social “Facebook” për përgjimin e telefonave, ishte pikërisht ish-kryeministri, Sali Berisha. Në statusin e tij, ai kujton deklaratën që kryeministri Rama ka bërë para disa ditës në një emision televiziv ku tha se krimi në vend ka rënë, ndërsa në mesazhin   që opozita pretendon se Rama i ka dërguar Tahirit tregohet shqetësimi i kreut të ekzekutivit për krimin në vend. “Edi Rama, që vetëm një javë më parë deklaronte në emisionin “Opinion” se vrasjet në tremujorin e parë të vitit 2014 janë 30% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2013, i drejton sot mesazhin që vijon zëdhënësit të tij për rendin S. Tahirit ku pohon se vrasjet janë dyfishuar. Gjykojeni vetë”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin plotë. Nga ana e tij, deputeti socialist, Erjon Braçe, e konsideroi këtë shkelje të Kushtetutës nga ana e opozitës që duhet hetuar. 

Ja mesazhi i Tahirit 

“Nga muaji Mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por k y kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale, si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shum larg së menduari se problem je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëjë më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, çnuk ke bërë mirë e çdo bësh për t’i riparuar në qoftë se mundesh”.    

Mesazhi, ministri: E nisa unë 

Tahiri: Unë i kam dërguar sms, s’ma ka çuar mua Rama, ja kam çuar unë bashkëpunëtorëve. T’ju vijë trup që përmendi të tilla gjëra.

Noka: Është mesazh i Kryeministrit ky apo jo, po jo? Se unë kam dhe tjetër, ti këtë më thuaj, po jo? 

Tahiri: Kjo që sapo dëgjuat është arsyeja që Policia e Shtetit ishte katandisur në atë nivel. Që merrej me mesazhet, me jetën private të njerëzve. 

Noka: Është një mesazh për punën që të ka dërguar kryeministri dhe të ka rrëzuar punën për gjithë këto përralla që thotë ky. Është apo s’është, të ka ardhur apo jo?

Klosi: Duhet ndërprerë seanca. Si mundet që një ish-ministër, aludon se ka përgjuar komunikimin telefonik mes kryeministrit dhe ministrit. Për përmbajtjen aludoni si të doni, por përgjimi është shkelje e sigurisë kombëtare. 

Ristani: Mesazhin sapo e konfirmoi dëshmitari në seancë dhe përmbajtja e tij është publike dhe e regjistruar në këtë komision. 

Tahiri: S’e kam problem t’i përgjigjem asnjë pyetje të komisionit. Atë mesazh e konfirmova ja kam çuar dy bashkëpunëtorëve të mi, besoj Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe ai e di ku e ka marrë, e dini ju fort mirë, s’po i them se s’ka rëndësi, e megjithatë unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe të skuadrës së policisë së shtetit. 

Tahiri: Ndryshimet në polici, me Burgajn, shkarkova rojet e PD 

Tahiri: Së bashku me ish-drejtorin e Përgjithshëm z.Burgaj vlerësuam se drejtuesit e policisë nuk i përgjigjeshin asnjë lloj ritmi për të garantuar siguri për qytetarët. Një pjesë e drejtuesve që gjetëm në detyrë nuk plotësonin kriteret. Konkretisht zoti Mërgim Hoxha, drejtor i qarkut Lezhë, pa punuar asnjë ditë në Policinë e Shtetit, shkoi në atë detyrë direkt nga drejtori i ujësjellësit Lezhë. Mori gradën drejtues i parë në kundërshtim të hapur me ligjin për gradat, duke pasur vetëm 1 vit e 7 muaj punë karrierë policore. Ky zotëri u bë dhe drejtor i Akademisë së Policisë, dhe ndërkohë ushtrohej në “Facebook” për fushatë të theksuar politike në zgjedhjet e fundit. Ismail Elezit i ishte llogaritur punësimi i tij për vjetërsi pune si nënkryetar i PD dega Peqin. 

Ristani: Për këtë arsye e keni hequr zotin Elezi? 

Tahiri: Për këtë duhet të pyesni drejtuesin e policisë. Osman Levanaku, administruar në dosjen e punës, roje PD e Shqipërisë. Roje tek PD-ja mund të jetë punë e nderuar, ishte emëruar drejtori i FNSH-së.

Ristani: Të gjitha arsyet që ju po thoni janë arsyet që kanë çuar në largimet e këtyre njerëzve nga puna apo jo?Tahiri: Shtetasi A.K. oficer policie, është arrestuar në një shtet të BE-së me një ngarkesë kokainë. Ka nxjerrë dokumentin e policisë për t’i shpëtuar procedimit në atë moment, duke deklaruar se ishte agjent në mbulim. Autoritetet kanë   kërkuar sqarime tek drejtori i Përgjithshëm zoti Burgaj.

Qefalia: Z.Burgaj është shantazhuar, është ndier në presion që të firmosë lëvizjen e 12 drejtorëve të qarqeve? Tahiri: Vetë s’e kam në detyrë që të shantazhoj dhe të ushtroj presion ndaj kujtdo. 

Noka: Keni patur dijeni që ishkreu i SHISH, Fatos Klosi i ka dërguar zyrtarisht letër ish-kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, ku i thotë se Artan Didi u ka marrë 4 milionë dhrahmi personave që kanë pasur probleme me ligjin? 

Tahiri: Artan Didi sot është një njeri i vlerësuar nga ndërkombëtarët me medalje kundër terrorizmit. Në momentin që kam bërë propozimet kam bërë verifikimet e duhur. Ty të paska ngarkuar partia që të nxjerrësh edhe këtë letër, të nxjerrësh edhe atë të kamionëve të ushtrisë.

Balla: Pyetja ishte jashtë çështjes që ne po hetojmë 

Ristani: Pyetja është brenda kontekstit të hetimit. O të verifikojmë nëse ka vrarë apo jo njerëz të pafajshëm në aksion. 

Noka: Për çështjen që sapo folët keni konflikt interesi, dolët për të mbrojtur kushëririn. Kijeni parasysh se po flisni për kushëririn, por takojeni pastaj kushëririn dhe sqarohuni. 

Ristani: Keni koment për deklaratën e Prokurorisë së Italisë që kanali i Otrantos është kthyer në autostradë për trafikun e lëndëve narkotikëve? Jeni njohur me këtë deklaratë? 

Tahiri: Jo, nuk jam njohur./Shekulli/