Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 17:18

Tiranë – Partia Demokratike e cilësoi sot deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të opozitës “një dëshmi, se ajo ç’ka ai foli te shtunën ishte vetëm agjenda e mbijetesës së tij personale dhe politike, dhe aspak angazhimi i forcës së tij politike për procesin e integrimit të vendit”.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, selia blu thekson se “ai ka bllokuar dhe vazhdon të bllokojë votimin në parlament të ligjeve me 3/5, dhe e bën këtë vetëm e vetëm për të bllokuar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë”. Për PD-në, në fjalën e tij të sotme, Rama nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn atë të përdorë mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota  në parlament, për të bllokuar statusin e kandidatit.

“Këto ligje të standardeve më të mira sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kanë mbi 2 vjet, që nuk votohen nga opozita në parlament, duke mos paraqitur asnjë argument ligjor kundër tyre. Shqiptarët e dinë se bllokimi i amendamenteve të kodit rrugor që imponojnë teknologji të re për drejtuesit e automjeteve dhe uljen e aksidenteve vdekjeprurëse rrugore, bllokimin e rekomandimeve ndërkombëtare për luftën e korrupsionit ndaj zyrtarëve, apo bllokimi i ligjeve që vijnë si detyrim nga anëtarësia e Shqipërisë në organizatën Botërore të Tregtisë, bëhet me qëllimin e vetëm, për të mos lejuar që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit”, thuhet në deklaratën për shtyp të selisë së PD-së.

Partia Demokratike fton z. Rama që të lërë mënjanë agjendën e tij personale politike, të mos vazhdojë bllokimin e grupit të tij parlamentar dhe ti lejojë deputetët e PS të votojë për këto ligje që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit.

“Partia Demokratike është e përkushtuar jo me fjalë por me vepra konkrete, rritje rrogash dhe pensionesh, krijim të vendeve të reja të punës, ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimeve e spitaleve, investime të huaja të mëdha, të çojë përpara procesin e integrimit të vendit në BE”, përfundon reagimi i zyrës së shtypit të PD-së.