Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 19:47

Deklarata e plotë e PD-së.

Sot, ne ndoqëm premierën e një reality show krejtësisht të ri për Shqipërinë dhe Shqiptarët, “Terapi Grupi”. Në të, lideri i opozitës është një i ftuar, i cili flet gjatë për të gjitha dështimet që e përndjekin, në praninë e delegatëve të tij të klonuar, duke shpresuar se artikulimi i dështimeve do ta ndihmojë ti harrojë. Duke patur shumë dështime për të cilat të flasë, Z.Rama mund edhe të ketë vendosur një rekord të ri botëror, duke lënë mbrapa edhe vetë Fidel Kastron apo Hugo Chavez. Natyrisht, në përfundim të çdo episodi të këtij reality shoë, realiteti, i cili është tejet i zymtë për të ftuarin, zëvendësohet nga elemente të kuptueshëm vetëm prej tij.

Në këtë trill, rilindja e socializmit të etërve të tij nënkupton rilindjen e Shqipërisë. Në këtë trill, Z.Berisha ndërton rrugë vetëm për veten e tij edhe pse z.Rama shkel në të njëjtat rrugë për të shkuar në pronat e tij në Qeparo në breg të detit apo në klimën malore të Dardhës. Në këtë trill, djali i Z. Rama udhëton për të studiuar në Paris si shpërblim për arsimimin e dobët të përftuar në institucionet e shkatërruara, sipas tij, të arsimit në Shqipëri. Në këtë trill, Z.Rama ëndërron që problemet t’i zgjidhë retorika boshe dhe jo puna e palodhur. Në këtë trill, promovimi i dështimit dhe ndëshkimi i suksesit do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik. Në këtë trill, një plan i konsideruar, i dështuar, nga i gjithë komuniteti i biznesit, papritur ndihmon pikërisht këta të fundit. Në këtë trill, numërimi i çdo vote dhe dëgjimi i zërit të çdo qytetari nënkupton grabitjen e votës së lirë. Në këtë trill, heroi i punës socialiste, Dinë Hyka, ri-shfaqet si me magji dhe krijon 300 mijë vende pune. Në këtë trill, keqmenaxhimi financiar i Bashkisë së Tiranës e bën Z.Rama të aftë të mirë-menaxhojë borxhin publik. Për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të shpresojmë se ky reality show nuk do të jetë live gjatë gjithë sezonit,” tha Bogdani.

Pasi numëroi këto gjëra, deputeti demokrat deklaroi se Rama ka krijuar ndasi mes shqiptarëve.

“Sot Edi Rama krijoi ndasi midis shqiptarëve duke vendosur një pjesë kundër pjesës tjetër. Partia Demokratike është e vendosur të punojë njësoj dhe me përkushtim për çdo Shqiptar.

Sot, Edi Rama nuk përmendi të vetmin akt që ai mund të ndërmarrë për të ndihmuar shqiptarët, votimin e ligjeve me 3/5 të cilat ai i ka bllokuar. Këto ligje mbështeten plotësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të japin një ndihmesë të madhe në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe çdo aktiviteti tjetër që do përmirësonte jetën e qytetarëve. Partia Demokratike beson se jo retorika boshe, por puna e palodhur përmirëson jetën e qytetarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik, ndërtimit të rrugëve dhe shkollave si dhe afrimit të vendit me Bashkimin Europian. Sot Edi Rama foli gjatë mbi axhendën e tij politike. Retorika nuk ka asnjë vlerë, rëndësi ka puna dhe përkushtimi të cilat Partia Demokratike i ka vendosur pa kursim në shërbim të gjithë Shqiptarëve.