Lajme Shqip Thursday, 03 October 2013 15:26

Tiranë- Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, se arka e shtetit është bosh. Zëdhënësja Laura Vorpsi ka thënë se arka është bosh vetëm për qytetarët, por jo për shpenzimet luksoze të kryeministrit Rama.

Ajo ka përsëritur akuzat e dhëndrrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, se Rama ka flejtur në një hotel duke paguar 4 mijë dollarë për natë.

“Paratë e shpenzuara për të rikonstruktuar dhe mobiluar zyrat e tij, tregojnë se Rama nuk është i shqetësuar për financat publike.

Paratë e shpenzuara nga Kryeministri dhe shpura e tij në udhëtime dhe hotelet me 4 mijë dollarë nata, tregojnë se Edi Rama nuk është aspak i shqetësuar për financat publike.

Përkundrazi, të gjitha këto tregojnë etjen e kryeministrit për luks, për shpenzime, për t’i trajtuar financat publike si honorare private.

Edi Rama nuk është i besueshëm kur shpall pikëllimin e tij për arkën e shtetit, përsa kohë nuk tregon se sa para janë shpenzuar për të rregulluar e mobiluar zyrën e tij. Sa para janë shpenzuar për të veshur me luks ambjentet kryeministrore. Sa para janë shpenzuar për udhëtime e qejfe qeveritare jashtë shtetit në këto ditë”, ka thënë ajo, raporton tema.

Vorpsi shprehet se qeverisë nuk i mungon asgjë, sepse i ka paratë për vete. Sipas saj, deklarata e Ramës për arkën bosh, është thjesht një justifikim.

“Megjithëse nuk ka kaluar ende një muaj nga marrja e detyrës, sinjalet dhe aktet e para janë tregues të qartë se financat janë të mjaftueshme për luksin e qeverisë, por qenkan të pamjaftueshme për popullin.

Përkundër trendit europian, për qeveri të vogël, për shpenzime të shkurtuara, dhe për kursim, Edi Rama dhe qeveria e tij po llamburisin cdo ditë në luks shpërdorues dhe jo-transparent.

Qeverisë nuk i mungon asgjë, sepse i ka paratë për vete, ndërsa për popullin arka qenka bosh.

Por ne e dimë, dhe nuk ka asnjë çudi në këto sjellje të Edi Ramës. Ky është stili i tij despotik i luksit të shfrenuar, që ka treguar në përvojat e mëparshme ekzekutive. Deklaratat për arkën bosh, janë thjesht justifikime. Kur këto justifikime nisin vetëm një muaj pas marrjes së detyrës kjo tregon se sa të mëdha kanë qënë mashtrimet elektorale për të ardhur në pushtet”, përfundi ajo.