Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 12:50

TIRANE – Deputeti i PS-së, Erion Braçe vijoi edhe sot akuzat në drejtim të ministrit Imami, se ka shkelur rëndë politikat e Sigurisë Kombëtare, duke i shitur Malit të Zi sasi të mëdha municionesh.

Duke iu referuar dokumenteve zyrtare, Braçe tha se aty figuron që Shqipëria ka bërë tregti edhe për armë që nuk gjendeshin në depot e ushtrisë, duke i blerë ato në një shtet tjetër.

“Kjo dosje dokumenton transaksionin më të madh. Në qendër është sërish kompania MEICO, por këtë herë për mallra të cilat nuk ishin në depot e ushtrisë. Ndërmarrja MEICO, duke u ndodhur në kushtet e mosplotësimit të kërkesës Raketa Zolia, është detyruar për t’i blerë në një shtet tjetër. Vetëm emri është i Shqipërisë në këtë transaksion, në mes të këtij pazari sllav.”- u shpreh Braçe, duke theksuar se asnjë nga dokumentet e publikuara prej tij nuk ka siglën që i klasifikon si sekrete shtetërore.

Në fund të deklaratës së tij, deputeti Braçe kërkoi vëmendjen e Prokurorisë, për të hetuar, sipas tij, krimet që burojnë nga Ministria e Mbrojtjes, dhe që kanë përgjegjës ministrin Arben Imami. (LajmeShqip.com)