Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 15:21

Tiranë- Bashkia e Tiranës ka ftuar sot të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve për 99-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha bëri me dije programin që Bashkia do të ndjekë nesër në kuadër të festimeve, ku sheshet kryesore do shndërrohen në qendra argëtimi për të rritur e fëmijë, panaire, këngë, animacione, shfaqje cirku, valle tradicionale e gjithçka tjetër që pritet të sjellë atmosferë të vërtetë festive këtë fund nëntori.

Në rrugën Murat Toptani, do të çelet panairi “Blej Shqip”, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare. Po ashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave përgjatë rrugës pedonale.

Ndërsa fëmijet do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve për 28 Nentorin. Sipas saj, në parkun Rinia, trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri Metropol, do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur dhe fëmijët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN, do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë etj.

Në bashkëpunim me Liceun Artistik, do të organizohet një ekspozim pikture interaktive, me temë: “Shqipëria ime”. Aktiviteti do të shoqërohet nga Kori i Fëmijëve të liceut dhe instrumentistët e Kameratës së Tiranës.Për herë të parë vijnë në menyre origjinale protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, do të interpretojnë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë, etj.

Kushdo që ka dëshirë të ketë një foto me këto personazhe, mund ta realizojë në kendin e fotografise para galerisë së arteve, tha Bisha, duke shtuar se, Tek Galeria Kombëtare e Arteve do të shfaqet me aparaturë tradicionale, jo dixhitale, në ambjent të hapur, filmi “Nëntori i dytë”.

Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin Nënë Tereza, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë. Bashkia e Tiranës fton edhe një herë të gjithë shqiptarët të festojmë së bashku në Tiranë, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë.