Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 09:56

Në të gjitha trevat shqiptare por dhe në mbarë botën shqiptarët festojnë sot ditën e flamurit. 99 vjet më parë Shqipëria shpalli pavaresinë nga Perandoria Otomane dhe kjo ditë është dita e themelimit të shtetit modern shqiptar.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malii Zi por dhe në komunitetet shqiptare në mbarë botën përkujtohet sot dita e flamurit. Sot Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë do të pushtohet nga një varg aktivitetesh kushtuar 99 vjetorit të pavarësisë së vendit. Në rrugën pedonale do të hapet edhe panairi i produkteve shqiptare, me moton “Bli shqip”.

 

Ndërsa Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave. “Fëmijët do të jenë një pjesë e rëndësishme e festimeve më 28 Nëntor. Në Parkun Rinia trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri “Metropol” do të luajë një pjesë për fëmijët në terren të hapur.

Vogëlushët që ndjekin kurse artistike pranë qendrës “Ten” do të performojnë një kolazh këngësh dhe vallesh popullore. Në bashkëpunim me Liceun Artistik do të realizohet një ekspozim picture interactive me temë “Shqipëria Ime”, deklaroi Anila Bisha, zëdhënëse e Bashkisë Tiranë. Mbrëmja do të mbyllet me koncertin e madh që do të nisë në orën 18.00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë disa nga këngëtarët më të njohur shqiptarë.

 Festime në Kosovë, Maqedoni e diasporë

99-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit do të festohet me disa aktivitete edhe në Prishtinë, Shkup dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Kështu në Prishtinë do të organizohen një varg manifestimesh nga Komuna e Prishtinës, Lëvizjes Vetëvendosje, por dhe Aleancës Kuqezi.

Aktivitete do të zhvillohen në pallatin e Rinisë dhe në sheshin “Nëna Tereza” ku do të organizohet edhe një koncert festiv. Aleanca Kuq e Zi gjithashtu ka organizuar një aktivitet festiv, për të shpalosur flamurin gjigant kuq e zi, i cili është nisur me karvanin nga Vlora. Lëvizja Vetëvendosje vjen me një program jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Gjakovë dhe Prizren.

Në Maqedoni gjithashtu janë parashikuar një sërë aktivitetesh me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit. Gati në të gjitha komunat e banuara me shqiptarë janë organizuar manifestime të ndryshme për të shënuar këtë përvjetor të 99-të.

Në Shkup do të organizohet një koncert festiv në sheshin “Skenderbeu” nën organizimin e Lëvizjes “ZGJOHU”, Shoqatës studentore “Dardania”, ndërsa mbështetur nga Komuna e Çairit dhe Ministria e Ekonomisë. Në Institutin për Trashëgimi Kulturore Shqiptare janë parashikuar aktivitete festive letrare.

Në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Strugë gjithashtu janë parashikuar aktivitete festive të organizuara nën patronazhin e komunave dhe shkollave, e organizatave joqeveritare dhe kombëtare.

Në Gradec të rajonit të Gostivarit do të shënohet festa e 99 vjetorit, ku do të zbulohet busti i Mehmet Pashë Derallës, Ministrit të parë të mbrojtjes në qeverinë e Ismail Qemalit bashkë me pllakat përkujtimore për varezat e 163 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat serbe në vitin 1915.

Në këtë eveniment do të marrin pjesë personalitete politike, ndër të cilët kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka konfirmuar praninë e tij. Gjithashtu përvjetori i 99-të i Ditës së Pavarësisë do të festohet me aktivitete të ndryshme edhe në diasporë. (Tema)