Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 12:04

TIRANE – 100-vjetori i Pavarësisë ka nxitur bujarinë e qeverisë me të dënuarit në burgje për vepra të ndryshme. Në një intervistë për emisionin “Intervista” të Alfred Pezës, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi tregon me detaje kush do të përfitojë nga falja e Pavarësisë.

Do të ketë amnisti më 28 Nëntor?
Po, do të ketë. Është hera e parë që unë po flas për çështjen e amnistisë për shkak se është një proces edhe i ndjeshëm, por edhe një proces i cili ka kohën e vet. Kam ndjekur edhe publikimet në gazeta. Ju falënderoj për pyetjen, në mënyrë që të më lini edhe kohë të shpjegoj për interes të qytetarëve. Për 100-vjetorin do të ketë një amnisti.

Do të jetë e gjerë, e ngushtë, e madhe?
Do të jetë një amnisti e cila nuk do të jetë e gjerë. Nuk do të jetë shumë e gjerë, si ministër do të më interesonte të ishte e gjerë sepse edhe të dënuarit mund të kishin më shumë interes për të përfituar, edhe familjarët e tyre, edhe shteti tregohej zemërgjerë në një moment të caktuar, siç është momenti historik i 100-vjetorit të pavarësisë. Por, si një politikan dhe si një qytetar, duke pasur parasysh dhe gjendjen e kriminalitetit që është sot në Shqipërisë, më është dashur të tregohem i kujdesshëm. Më është dashur të tregohem i kujdesshëm dhe të tregohem pak më radikal se çfarë jemi treguar në vitin 2007. Në vitin 2007 amnistia ka përfshirë të gjithë të dënuarit të cilët kishin 2 vitet e fundit të dënimit dhe liroheshin, apo edhe një kategori veprash të cilat në vitin 2007 nuk është se ishin shumë të përhapura. Kështu që, më është dashur dhe jam treguar më pak radikal se në vitin 2007, në atë kohë kam qenë zëvendësministër i Drejtësisë, dhe me amnistinë e këtij viti do të lirohen nga dënimi të gjithë personat që i ka mbetur viti i fundit. Pra ata persona që do të kenë 365 ditë dhe më pak do të lirohen. Sigurisht do të përfitojnë pastaj dhe të gjithë personat, gratë, të cilat janë mbi 55-vjeç. Pra të gjitha dënuara femra që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55-vjeç, me përjashtim.

Pavarësisht nga…
Jo, me përjashtim të veprave që unë do të citoj më vonë. Të gjithë të dënuarit me burgim, të miturit, që në moshën kur ka kryer veprën kanë qenë më pak se 18-vjeç apo baras me 18-vjeç, ata do të përfitojnë dhe do të lirohen, me përjashtim të veprave të cilat unë do t’i citoj më poshtë. Dhe për të gjithë pjesën tjetër të dënuarve, që nuk plotësojnë këto kritere, jo se edhe ata do të dalin duarbosh nga amnistia, shteti përsëri do të tregohet zemërgjerë në momentin e këtij evenimenti historik për Shqipërinë që është 100-vjetori do të zbritet 1/4 e dënimit.

Të gjithëve, pa përjashtim të gjithë të burgosurit?
Jo pa përjashtim.

Përveç?
Përveç atyre të cilët janë dënuar për veprat që unë do të lexoj më poshtë dhe atyre që janë përsëritës. Atyre që janë përsëritës iu ulet 1/8. Dhe nuk përfitojnë të gjithë sigurisht ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, të gjithë ata që kanë kryer vrasje, asnjë nga vrasësit nuk do të përfitojë as edhe një ditë ulje nga amnistia, askush që ka kryer krime kundër njerëzimit, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura, askush që ka kryer vepra penale kundër lirisë së personit: mbajtje peng dhe me radhë, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me prostitucionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me trafikun e armëve dhe të drogës, si dhe një sërë të tjerash.

Ka një llogaritje në total, përafërsisht se sa përfitojnë?
Sigurisht që ka një llogaritje. Jam kujdesur për këtë që të kem dhe një statistikë lidhur me këtë çështje. Numri i personave që përfitojnë do të jetë dikur rreth 220-250 persona të cilët do të përfitojnë lirinë në 28 nëntor të vitit 2012.

Po që përfitojnë ulje dënimesh dhe kështu me radhë?
Numri i tyre sigurisht që është më i madh, e kemi në proces llogaritjeje. Aktualisht stadi në të cilin është ligji.

Që të kuptohemi, më datën 28 nëntor pritet të lirohen deri në 250 veta që të dalin të lirë nga burgu?
Po. Persona që nuk kanë kryer grabitje me dhunë, grabitje me pasojë vdekjen, përdhunime. Të gjithë ato që unë i citova, përveç këtyre. Ata nuk përfitojnë asnjë gjë. Personat e tjerë do të përfitojnë që kanë vitin e fundit të vuajtjes së dënimit ose do të lirohen, ose do të kenë ulje me 1/4, ose siç thashë që është pjesa bujare e shtetit që të ketë një kujdes ndaj grave. Por, me kushtin që të mos kenë kryer trafik droge, trafik femrash, vrasje dhe me radhë të gjithë pjesën e tjerë të veprave që unë përmenda. (LajmeShqip.com)