Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 15:42

Prishtinë – “Tashmë kanë mbetur pak më shumë se dyzet ditë nga vendimi përfundimtar për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe mund të themi se obligimet e veta Qeveria e Kosovës i ka përmbushur në afat”, tha sot kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë, duke theksuar pritjen që edhe institucionet e tjera të përmbushin obligimet e veta në afatin e paraparë.

Kryeministri Thaçi shprehu qëndrimin për diskutimet që po zhvillohen në lidhje me funksionimin e koalicionit qeverisës. “Nuk do të ketë koalicione të reja e as kriza të qeverisjes. Koalicioni do të vazhdojë punën e mirëqeverisjes deri në fund të mandatit”, tha ai.

“Do të vazhdojmë angazhimet, në bashkëpunim me të gjithë aktorët politikë, dhe pres që edhe kontributi i opozitës në axhendën shtetformuese dhe të integrimeve euroatlantike të vazhdojë”, tha Thaçi.

Ai përsëriti qëndrimin për mandatin aktual të presidentes së Kosovës. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një realitet të ri juridik dhe respektimi per qeverinë e Kosovës nuk është në dyshim”, tha ai, ndërsa shtoi se “do të jemi gjenerozë në çështjet që do të shtrojë opozita në procesin e diskutimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjit për zgjedhjet dhe do të respektojmë në përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetues”. (LajmeShqip.com)