Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 17:00

Prishtinë- Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova paraqet një tregim të suksesit, thanë të enjten udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës gjatë një seance solemne të Kuvendit, me rastin e katër-vjetorit të pavarësisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë.

“Ne jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillojmë marrëdhënie të mira bilaterale dhe fqinjësore, duke dhënë një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë”, theksoi Jahjaga.

Kosova, vijoi presidentja, e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe përfaqësohet dhe do të përfaqësohet e barabartë e me reciprocitet të plotë.

“Proceset nuk kthehen mbrapa dhe askush nuk mund të krijojë përshtypjen se procesi i pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk është i përfunduar”, u shpreh Jahjaga, duke shtuar se  Republika e Kosovës është e ndërtuar në parimin qytetar, me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit.

“Të gjitha etnitë e Kosovës i gëzojnë të drejtat e tyre të plota kombëtare, pa marrë parasysh numrin e tyre. Kjo është vlerë e jona, e ndërtuar tradicionalisht, duke respektuar dhe nderuar njëri-tjetrin”, tha presidentja kosovare.

Sipas saj, të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, bashkohen në vizionin e përbashkët të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga tha se “në telegramin e urimit që na erdhi sot nga sekretarja e Shtetit Klinton, thuhet se, “edhe pse është një shtet i ri, Kosova është vend që ka një të ardhme premtuese dhe SHBA janë të përkushtuara ta mbështesin një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumetnike”.

“Kjo rrugë do ta çojë Kosovën në integrimin e plotë euroatlantik, në stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet për vendin tonë”, tha Jahjaga.

“Përvjetori i katërt i Pavarësisë së Kosovës përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje madhore kjo për kombin shqiptar në shekullin e kaluar”, tha nderkohë kryeministri Hashim Thaçi në seancën soleme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kreu i qeverisë së Kosovës u shpreh se, “në ditën e Pavarësisë së Kosovës ne kujtojmë të kaluarën e ndritur tëvendit tonë, kujtojmë përpjekjet njëshekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi”.

Në ditën si kjo, vijoi kryeministri kosovar, nderojmë dëshmorët tanë, ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e vendit tonë.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim kontribuan për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë”, theksoi ai duke ftuar të gjithë që të festojnë me dinjitet dhe krenari, sepse ashtu edhe e meritojnë.

“Kosova është atdhu i të gjithë qytetarëve të saj. Kjo është festa që na jep energji të re, festë që na bashkon dhe forcon të gjithëve”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se pas realizimit të ëndrrave për liri dhe pavarësi, sfidat e së ardhmes janë zhvillimi dhe projekti madhor i integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Më shumë veprimtari do të festohen ditën e nesërme, kur mbushen katër vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri sot nga 87 shtete anëtare të OKB-së.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në këtë sallë, më 17 shkurt të vitit 2008, ishte akt historik dhe sublimues i luftërave të pareshtura të shumë brezave për liri dhe mëvetësi shtetërore të vendit tonë, tha sot pasdite kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në seancën solemne të Kuvendit.

“Kosova po hyn në vitin e pestë të pavarësisë, si shtet modern evropian, demokratik dhe me respekt e njohje të gjerë ndërkombëtare. Ajo përbën sot një faktor shumë të rëndësishëm paqendërtues dhe bashkëpunues në rajonin tonë dhe më gjerë”, theksoi ai.

“Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, me institucionet e konsoliduara demokratike, me sistemin modern kushtetues, me ritmet e zhvillimit progresiv dhe me rezultatet legjislative që e obligonin ndërkombëtarisht Kosovën, ne jemi nga fundi i fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe të vendosur në trasenë e perspektivës së sigurt të vendit tonë, por edhe me plot sfida të brendshme e të jashtme”, tha kryetari i Kuvendit, Krasniqi.

Para nesh, tha ai, është beteja e madhe e zhvillimit ekonomik, e zhdukjes së varfërisë, e zhvillimit demokratik dhe e sundimit të plotë të ligjit e të rendit në shoqëri. (LajmeShqip.com)