Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 16:17

Tiranë – Pas përfundimit të procesit zgjedhor të 8 majit, Partia Demokratike e cilëson të domosdoshme që të nisë një proces i gjërë bashkëpunimi në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2013 dhe të interesit më të mirë të vendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i ka dërguar ditët e fundit një letër kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, duke i propozuar që me datë 15 korrik të nisin bisedimet për të ngritur Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore.

Në letrën drejtuar kampit të selisë rozë, të publikuar sot nga zyra e shtypit e PD-së, Patozi propozon që “me datë 15 korrik ose në një datë tjetër, që ju mund të sugjeroni, të takohemi në selinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe të nisim bisedimet për të ngritur Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, të cilin do të ishte mirë ta miratonim dhe votonim brenda këtij sesioni”.

Duke u shprehur se Kodi ynë Zgjedhor është konsensual dhe bashkëkohor, i cili, edhe sipas ekspertizës së OSBE/ODIHR-it, garanton zgjedhje të standardeve demokratike, përfaqësuesi i demokratëve kujton se në raportin përfundimtar për Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2009, OSBE/ODIHR-i bëri një seri rekomandimesh, të cilat kishin për qëllim përmirësimin e procesit zgjedhor.

“Ne kemi bindjen që më shumë se gjysma e këtyre rekomandimeve, të cilat nuk kërkonin ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, u zgjidhën me vendime dhe masa administrative të KQZ-së dhe institucioneve të tjera”, sqaron Patozi.

Ai kujton se rekomandimi i parë, i cili është dhe më kryesori, pasi ka të bëjë me vullnetin e forcave politike  për zbatimin me korrektesë të ligjit zgjedhor, ishte objekt i shqyrtimit të përbashkët në tryezën e marsit të vitit 2011.

“Në atë kohë, me propozim të të dy palëve, dhe në prani dhe asistencë të Prezencës së OSBE-së, u përgatit teksti i një marrëveshjeje shumë serioze për zbatimin e këtij rekomandimi, i cili pret shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar prej nesh”, thekson në letrën e tij drejtuar selisë rozë, Astrit Patozi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së nënvizon se “disa rekomandime të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009, dhe ndoshta edhe rekomandime të reja të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit 2011, presin bashkëpunimin tonë për të arritur standarde më të larta në proceset e ardhshme zgjedhore”.

Në letrën e tij, Patozi shton se “me anë të kësaj letre, dua që, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, t’ju ftoj Ju zoti kryetar, që të nisim sa më shpejt punën e përbashkët për reformën zgjedhore, pasi kjo përbën edhe një nga kërkesat më të rendësishme për avancimin e procesit të integrimit 2011, si dhe një bazë të shëndoshë dhe solide në përgatitjen serioze të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013”.

Gjithashtu përfaqësuesi i selisë blu propozon që “bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ose ne të dy, si drejtuesit e grupeve parlamentare të maxhorancës dhe opozitës, t’i drejtohemi  me një letër OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për t’i ftuar që të asistojnë komisionin me ekspertizën e tyre’.

Ai vlerëson se “asistenca e tyre do të ishte kontribut shumë i çmuar në ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor, të nevojshme për adresimin e të gjitha rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it  për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, si dhe rekomandimet e raportit për zgjedhjet vendore 2011, që pritet të publikohet së shpejti”.

Astrit Patozi e përfundon letrën drejtuar kreut të grupit parlamentar të PS-së, duke e siguruar se “Grupi Parlamentar i PD-së do të votojë, pa asnjë hezitim, të gjitha amendamentet që do të paraqiten prej jush  në Komisionin e Reformës Zgjedhore, me kushtin e vetëm që ato të kenë marrë më parë vlerësimin pozitiv të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecies”.