Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 08:52

Tiranë – Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i kërkoi opozitës të jetë konstruktive për realizimin e reformave për integrimin euroatlantik të vendit.

Në fjalën e tij para deputetëve, në çelje të sesionit të ri parlamentar, Patozi deklaroi se, prania e opozitës nuk është e mjaftueshme, por ajo duhet të ketë më tepër vullnet dhe pjesmarrje të vazhdueshme në Parlament.

“Ky sesion është vijim i një pune të përkushtuar”, tha ai, ndërsa hodhi poshtë të gjithë deklaratat e opozitës dhe të kreut të saj Edi Rama për zgjedhje jo të drejta.

“Raporti i OSBE-ODIHR, duhet të lexohet mjaftë qartë, ndërsa me votë u rrëzua pashallëku i kryetarit të PS-së”, tha Patozi..

Sot ,vijoi ai, vijmë në këtë sallë pas zgjedhjeve të lira dhe kompetitive. Integrimi, sipas Patozi, është axhenda jonë kombëtare.

Patozi ftoi opozitën të niste punën për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, si minimumi i përgjegjësisë dhe vullnetit për të hapur një kapitull të ri në komunikimin tonë politik.

“Të vijojmë me ligjet me një shumicë të cilësuar, që pa asnjë arsye presin prej më shumë se tre vitesh miratimin konsensual. Le të ballafaqohemi me maturi e guxim me çdo rekomandim të OSBE/ODIHR-it dhe të plotësojmë bashkarisht ë 12 pikat e axhendës së integrimit për të shlyer detyrimin e madhe që kemi ndaj qytetarëve shqiptarëve, pavarësisht se kë prej nesh kanë votuar”, deklaroi Patozi.

Ai ftoi opozitën të japë votën e saj për heqjen e imunitetit, duke i dhënë kështu, siç u shpreh Patozi, një mesazh të shumëpritur publikut, se do të nisim bashkarisht një betejë të re në parlament.