Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 16:50

Tiranë – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ka nisur sot një letër kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, duke e ftuar që të ulen në një tryezë të përbashkët me datë 29 mars, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, së bashku me partitë e tjera parlamentare, duke ftuar njëkohësisht edhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

Në letrën e tij, Patozi kërkon që “në këtë takim, me angazhimin e gjithësecilit, të shqyrtojmë përgjegjësitë që duhet të marrin partitë tona për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike, në respekt të plotë të kuadrit kushtetues e ligjor ekzistues”.

Përfaqësuesi i demokratëve shpreh bindjen se “një angazhim i tillë garanton përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe se ai do të japë kontribut dhe garanci shtesë, përkrah këtij kuadri normativ, për zgjedhje demokratike, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”.

Duke kujtuar se zgjedhjet për pushtetin vendor të datës 8 maj po afrojnë dhe përgatitjet për to kanë hyrë në fazë intensive, Patozi vë në dukje se “procesi zgjedhor përfshin një numër aktorësh, si administrata zgjedhore e të gjitha niveleve, pushteti qendror dhe ai vendor, subjektet zgjedhore, vëzhguesit dhe shoqëria civile, por pa dyshim, një rol kyç luajnë partitë politike në përputhje me detyrimet që u përcakton ligji”.

“Sinergjia e kontributit të përbashkët e të gjithë aktorëve krijon kornizën dhe truallin e nevojshëm që zgjedhjet të jenë një celebrim i plotë i demokracisë. Gjithësecili prej tyre ka rol të përcaktuar qartë dhe e kryen atë pa ndërhyrë në detyrat e aktorëve të tjerë”, nënvizohet në letrën drejtuar Ruçit.

Më tej Patozi sjell në vëmëndje edhe Raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009, ku përcakton për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri se ato përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së për zgjedhje demokratike.

Sipas tij, ky raport vlerëson lart cilësinë teknike të Kodit Zgjedhor dhe infrastrukturës zgjedhore, por konstaton se “këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të proçesit”.

Patozi nënvizon edhe faktin se “OSBE/ODIHR-i shprehet se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet gjithashtu, në një masë të madhe, nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin dhe qëllimin e tij në detajin më të vogël, si dhe për t’i përmbushur detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjëshme, me synim ruajtjen e integritetit të procesit”.

Duke pohuar se për të përmirësuar proçesin zgjedhor dhe arritjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare, raporti i OSBE/ODIHR-it sugjeron 31 rekomandime, ku disa prej tyre i drejtohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi partive politike, kreu i demokratëve në parlament thekson se “tashmë, administrata zgjedhore, me në krye KQZ-në, që është organi suprem për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe administrata shtetërore në nivel qendror dhe vendor, janë në një fazë të avancuar dhe intensive të zbatimit të kuadrit ligjor për përgatitjen e zgjedhjeve, duke adresuar të gjitha ato rekomandime të raportit të OSBE/ ODIHR-it, që kërkojnë veprim administrativ, pa ndryshuar ligjin”.

Ai thekson se “stabiliteti i procesit përgatitor, i bazuar në zbatimin e rregullave që kemi miratuar me konsensus të plotë, ka një rëndësi themelore për standardin e zgjedhjeve”.

Patozi shpreh bindjen se “angazhimi me vullnet të plotë politik, jo vetëm i partive të maxhorancës së qeverisë, por edhe atyre të opozitës parlamentare, qoftë në zbatim të detyrimeve të tyre në administrimin zgjedhor, apo si subjekte zgjedhore, në përputhje me kuadrin ekzistues kushtetues dhe ligjor, do të rriste maksimalisht standardet e procesit zgjedhor”.

“Kuadri ynë kushtetues dhe ligjor për zgjedhjet përfshin të gjitha parimet, standardet dhe garancitë e nevojshme të përcaktuara nga OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës, për rrjedhojë zbatimi dhe respektimi i plotë dhe vullnet mirë i kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe institucioneve të mandatuara prej tyre, është garancia më e mirë jo vetëm për përmbushjen e interesave legjitime të subjekteve zgjedhore, por mbi të gjitha, të interesit të zgjedhësve shqiptarë”, thekson z. Patozi në letrën drejtuar kreut të grupit kuvendor të PS, Gramz Ruçi.