Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 14:32

Tiranë – Bashkimi Europian, përmes Qeverisë spanjolle, do të mbështesë me një projekt të tij, organet e drejtësisë dhe ato të Policisë shqiptare në luftën kundër krimit ekonomik, veçanërisht në atë të parandalimit dhe pastrimit të parave, si një fenomen shqetësues për të gjitha vendet në botë.

Projekti, i cili u prezantua sot në Prokurorinë e Përgjithshme dhe do të zgjasë për dy vjet, ka për qëllim  t’i japë institucioneve të drejtësisë shqiptare mbështetjen në luftën kundër pastrimit të parave.

Drejtuesi i projektit për palën spanjolle, Gonzalo Gomez de Liano, një prej përfaqësuesve me emër në drejtësinë spanjolle, vlerësoi se “Shqipëria e ka tashmë të vendosur dhe të organizuar një sistem të rëndësishëm për çështjet me të cilat merret projekti”.

Çështjet e pastrimit të parave, tha ai, edhe pse janë çështje të reja me të cilat ajo po merret kohët e fundit, ka treguar se Shqipëria ka punuar për krijimin e një sistemi për të parandaluar dhe luftuar fenomenin e pastrimit të parave, i cili  gjeneron fenomene të rrezikshme ekonomike, financiare, apo sociale.

Ky projekt, sipas Gonzalo Gomez de Liano, do të merret me çështjet teknike, operative dhe juridike të pastrimit të parave, sipas modelit spanjoll, me mbështetje të vazhdueshme të ekspertëve të fushës nga vende të ndryshme.

Ai vlerësoi se sistemi juridik në Shqipëri është shumë i mirë dhe korrekt. Por sikurse edhe në çdo vend tjetër, ky sistem nuk është perfekt, përsa i përket çështjeve investigative apo  hetuese, ndaj edhe në Shqipëri, mekanizmat e funksionimit të këtij sistemi kanë nevojë për përmirësim.

“Meqenëse është një çështje në zhvillim, të gjitha administratat  kudo në botë, duhet të zhvillojnë metodat e punës dhe t’i përmirësojnë ato vazhdimisht, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave dhe formave të reja të shfaqjes së fenomenit të pastrimit të parave”, tha de Liano.

Në çështjet e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave, e rëndësishme për drejtuesin e projektit, është bashkëpunimi i institucioneve të përfshira për implementimin e tij, si  brenda vendit, ashtu edhe bashkëpunimit me ekspertë të njohur në arenën ndërkombëtare

Në implementimin e këtij projekti, Gonzalo Gomez de Liano tha se veç përfaqësuesve të drejtësisë shqiptare, do të punojnë edhe  prokurorë të njohur në drejtësinë spanjolle, të cilët kanë ngritur akuza dhe kanë dhënë rezultate poizitive, përfshirë edhe akuza ndaj organizatave terroriste të njohura, sikurse ajo e Al Kaedës, apo edhe çështje mjaft të rëndësishme për drejtësinë spanjolle. Krimi i pastrimit të parave, vijoi de Liano, ndodh kudo në botë,  prandaj e rëndësishme, është që të mblidhen të gjitha forcat për ta luftuar këtë fenomen të rrezikshëm për të gjithë.