Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 14:20

Bruksel – Rundi i dytë i bisedimeve Prishtinë – Beograd do të vazhdojë më 28 mars në Bruksel. Temë bisedimesh do të jenë librat amë, rryma dhe dogana, njoftojnë mediet kosovare.

Udhëheqësja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri ka deklaruar se në takimin e dytë do të propozojë biseda për zgjidhjen e çështjeve të telekomunikacionit dhe të rrymës.

Ajo për B92 ka deklaruar se pret vazhdimin e bisedimeve për çështjet që janë inicuar në takimin parë.

“Njëra nga marrëveshjet që duhet të arrihet është edhe ajo për vulat e doganave, sepse ekziston një asimetri e madhe në marrëdhëniet tregtare. Ne kemi lejuar importimin e mallrave nga Serbia e Serbia nuk lejon hyrjen mallrave të Kosovës, madje as transitin e mallrave të Kosovës për në destinacione  të tjera. Prandaj është me shumë rëndësi që Serbia të njohë vulën e Republikës së Kosovës. Po kështu është edhe me librat amë. Ato duhet të kthehen. Ne i kërkojmë libra origjinalë të marrë gjatë luftës, ndërsa pala serbe ka propozuar që të kthejë vetëm kopjet. Ka pasur njëfarë përparimi, kemi krijuar një kimison miks që e udhëheq EULEX-i i cili do të verifikojë saktësinë e kopjeve dhe të origjinalit.Mendoj se në rundin e dytë do të arrihet një marrëveshje rreth kësaj çështjeje”, thotë Edita Tahiri.

Disa nga çështjet për të cilat do të debatohet janë librat amë, vulat doganore dhe furnizimi me rrymë i Kosovës, sidomos i enklavave, ka thënë për B92 shefi i ekipit serb për negociata Borko Stefanoviq.

“Për Prishtinën aktualisht asnjë propozim nuk është i pranueshëm dhe kjo në mënyrë të hapur nxjerr në shesh se janë gjoja shtet. Kjo për ne është qartë e papranueshme dhe dëshmon se këto biseda nuk janë vetëm teknike dhe po ashtu kjo dëshmon se mu pala e Prishtinës është ajo që po insiston në çështje statusore. Këtë duhet lënë anash. Ne kemi dhënë disa zgjidhje konkrete për pamjen e vulës doganore e cila nuk do të prejudikonte në statusin e dy palëve, e cila do të mundësonte që të komunikohej normalisht dhe se ka zgjidhje të tilla”, ka thënë Stefanoviq.

Duke përmendur pohimet e medieve të Prishtinës se deri në fund të korrikut do të arrihet të paktën një marrëveshje, Stefanoviq ka theksuar se kjo gjë është një punë shumë e lehtë.

“Nuk ka mundësi që të nënshkruhet çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën që kanë elemente shtetësie pasi që në këtë mënyrë ne do të njihnim Kosovën shtet të pavarur e ne këtë nuk e duam. Të gjitha gjërat do të rregullohen përmes vendimeve përkatëse të dy qeverive dhe përmes ndryshimeve të rregulloreve  që janë nën nivelin e kuptimti juridik. Do të përpiqemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim në afatin sa më të shkurtër, nuk jemi të ngarkuar me afate, nuk është kurrfarë kufiri as dhjetori dhe as qershori”, tha Stefanoviq.