Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 12:43

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli uroi sot besimtarët e krishterë, por edhe gjithë shqiptarët me rastin e festës së Pashkës, Ringjalljes së Krishtit, duke shprehur besimin se “kjo festë është një moment reflektimi dhe lutjeje”.

Pas vizitës në Selinë e Kryepeshkopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale, Topalli u shpreh  “momenti i reflektimit është për të kuptuar historinë e vendit tonë, për të gjetur se sa dhimbje ka pasur ky vend në shekuj, dhe gjatë diktaturës komuniste dhe se si ringjallja ka ndodhur 20 vitet e fundit përmes dhimbjes, optimizmit dhe shpresës, ringjalljes”.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pashkës, por edhe politikanët, që siç u shpreh ai, “duhet të udhëhiqen nga mesazhi që përcjell kjo festë për një fushatë të qetë elektorale”.

Pas vizitës në Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale, kreu i shtetit deklaroi për mediat se fushata duhet përmbyllet me sukses dhe po kështu të gjitha hallkat e procesit zgjedhor. “Pashkët, vijoi Topi, vijnë në një moment delikat të jetës politike shqiptare. Uroj që të mbyllim këtë fushatë në qetësi, pasi fatkeqësisht këto ditë janë shoqëruar me disa incidente”.

“Ata që vijnë dhe shprehen për rindërtim shpirtëror duhet të bëjnë një rindërtim të vlerave morale. Kemi nevojë që këtë fushatë ta bëjmë të qetë, por edhe faza përmbyllese të jetë e qetë dhe ta përcjellim me shumë besim tek njëri-tjetrit”, theksoi Topi.

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha u ka uruar të gjithë besimtarëve të krishterë festën e Pashkës, pas vizitës që zhvilloi në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

“Uroj sot përzemërsisht të gjithë të krishterët me rastin e Pashkës. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj dite, shpreh bindjen se të gjithë gjejmë sot forcë për ringjallje dhe shpresë. Gjithashtu, besoj se kjo ditë na bën të gjithëve të reflektojmë që të bëhemi më të mirë, secili në punën dhe pozicionin e tij”, tha Basha.