Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 08:00

Tiranë-Në vigjilje të festës së Pashkëve, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita ka uruar përmes një mesazhi të gjithë besimtarët katolikë. “Qofshin këto Pashkë ngushëllim për të gjithë ata që vuajnë dhe burim shprese për të gjithë njerëzit”, thuhet në mesazhin e Imzot Rrok Mirditës.

“Pashkët nuk janë një ngjarje që i përkasin vetëm krishterimit, por një zbulim hyjnor që prek mbarë njerëzimin në thelbin e tij dhe hedh dritë mbi misterin e vdekjes. Kjo dritë është drita e dashurisë që shpëton. Për dashurinë e njerëzve Zoti është bërë njeri, për dashurinë dhe besnikërinë ndaj nesh ka vdekur në kryq. Pikërisht kjo dashuri besnike e ka mundur vdekjen me ringjalljen e Krishtit. Kush e ka kërkuar të ringjallurin ka njohur dashurinë që shpëton dhe ka themeluar jetën e vet mbi besimin në këtë dashuri”, deklaroi Imzot Rrok Mirdita.

Sipas tij, “duke kumtuar lajmin e mirë të ringjalljes së Krishtit, kisha i tregon njerëzimit se pushteti i vetëm që mund ta çlirojë është pushteti i dashurisë dhe rruga e dashurisë, që kalon përmes kryqit të vetëmohimit”. (LajmeShqip.com)