Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 14:48

Shkodër – Sigurisht që kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, nuk e ka ndjerë shumë peshën e probleme të elektoratit të saj në Shkodër i cili po përballet frikshëm prej 3 javësh me motin e keq gjatë vizitave të saj në Liban, Gjermani etj.

Por në ditën që presidenti Topi mbërriti në qarkun e Shkodrës, edhe kryeparlametarja, rendi me shpejtësi në Shkodër për të parë njëherë se ç’bëhet!…Sipas njoftimit zyrtarë të Kuvendit të Shqipëërisë, kryetarja e Kuvendt, Jozefina Topalli, u shpreh sot nga Shkodra, ku ishte e pranishme në mbledhjen e shtabit të emergjences civile të Prefekturës së Shkodrës se, “kjo situatë është një betejë me kohën, me borën dhe kushtet atmosferike të vështira, e cila po përballohet me heroizëm me operacione të vazhdueshme në terren”. 

“Situata që po kalon rajoni verior i Shkodrës, si rezultat i reshjeve të dendura të dëborës është më e rënda për periudhën e fundit”, tha kryeparlamentarja Topalli. Sipas saj, një situatë e tillë ka pushtuar jo vetëm Shkodrën, por edhe qarqet e tjera të vendit tonë, si dhe mbarë Europën”, tha kryeparlamentarja Topalli.

Duke falënderuar për punën e deritanishme strukturat vendore dhe ato shtetërore, Topalli theksoi se, “borëpastrueset dhe fadromat kanë punuar pandërprerje në zonat e vështira të Fushë Arrëzit, Fierzës, Iballës dhe Çelëz.

Ndërkohë, helikopterët dhe ushtria vazhdojnë operacionet në zonat e thella malore të Vermoshit dhe komunave të tjera të rrethit të Malësisë së Madhe, duke transportuar ushqime dhe medikamente shëndetësore për komunitetin e bllokuar nga dëbora, ndërkohë që mundësojnë edhe ndihmen për të sëmurët drejt spitalit rajonal të Shkodrës”.

Në këto kushte, krahas mbështetjes maksimale që po jep qeveria shqiptare, kryetarja e Kuvendit Topalli kërkoi një bashkëpunim të mirëfilltë në mes vetë komunitetit, që duke i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit të përballohet me sukses kjo situatë e vështirë.
Më pas kryeparlamentarja Topalli u nis për një takim tjetër drejt qytetit të Rrëshenit.