Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 13:50

Prishtinë – Subjektet politike gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e fundit të përgjithshme, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, kanë shpenzuar mbi 3 milion euro. Në raport me të dhënat e deklaruara në KQZ-së,  rezulton se nuk janë deklaruar mbi 1 milion e 800 mijë euro.

Instituti Demokratik i Kosovës, i cili ka përcjellë dhe analizuar shpenzimet e partive politike gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e fundit të përgjithshme ka publikuar sot rezultate të cilat janë dukshëm më të ndryshme nga ato që partitë politike i kanë deklaruar në KQZ. Sipas KDI-së janë shpenzuar mbi 3 milion euro kurse sipas atyre të deklaruara janë shpenzuar mbi 1 milion e 200 mijë euro gjë që rezulton se nuk janë deklaruar 1 milion e 800 mijë euro.

Merita Mustafa, duke prezantuar të gjeturat, tha se limiti i lejuar për shpenzime ka qenë mbi 800 mijë euro të cilin sipas KQZ-së nuk e ka tejkaluar asnjë nga partitë kurse sipas KDI-së e ka tejkaluar vetëm PDK-ja. Sipas tyre, PDK është subjekti që ka ka shpenzuar  më së shumti, rreth 1 milion euro, ndërsa ka deklaruar rreth 150 mijë €,  e dyta është LDK me 600 mijë € dhe të deklaruara rreth 300 mijë €, e treta AKR që ka shpenzuar rreth 550 mijë € dhe ka deklaruar 400 mijë €, pas saj vjen AAK me 460 mijë € dhe të deklaruara 176 mijë €. LDD ka shpenzuar 140 mijë € kurse ka deklaruar 6 mijë e 500 €. Dallimin më të vogël e ka Vetëvendosja me 105 mijë € të shpenzuara  dhe me 91 mijë € të deklaruara.

Merita Mustafa e KDI-së thotë se rezultatet e tyre kanë një siguri shumë të madhe të saktësisë. Mustafa thotë se krahasuar me fushatat e kaluara nuk është arritur ndonjë përmirësim për sa i përket transparencës së subjekte politike për financat e tyre.