Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 14:08

TIRANË – Partitë e vogla të pozitës dhe opozitës, të mbledhura të hënën në një tryezë për çështjet e reformës elektorale, kërkojnë nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS, barazi ligjore mes subjekteve politike dhe rregullim të sistemit zgjedhor aktual, që garanton barazinë e votës, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, në përfundim të kësaj tryeze, kryetarët e dhjetë partive, parlamentare dhe joparlamentare, i drejtohen me disa kërkesa PD-së dhe PS-së, që bashkëdrejtojnë komisionin parlamentar, në kuadër të realizimit të reformës zgjedhore.

Sipas deklaratës, e publikuar për mediat nga kryetari i PDS-së, Paskal Milo, partitë e pranishme në tryezë shprehin “gatishmërinë për të kontribuar në realizimin e një reforme tërësore dhe të zbatueshme për zgjedhjet”.

Sipas saj, “sistemi aktual i zbatuar formalisht cënon hapur barazinë e votës mes qarqeve, koalicioneve, duke e deformuar atë. Si ilustrim mjafton fakti që 230 mijë vota të partive tona, që në vitin 2009 janë të barazvlefshme me 26.5 mandate, janë përkthyer nga ky sistem në vetëm 7 mandate. Shprehim idenë se sistemi elektoral, i mbiquajtur spanjoll, është lehtësisht i përmirësueshëm për të rifituar natyrën e tij të proporcionalitetit pa deformime dhe pa qënë e domosdoshme ndërhyrja në Kushtetutë”, thuhet në deklaratën e përbashkët. 

Sipas saj, partitë kërkojnë përmirësimin e sistemit përmes korrektimit kombëtar, pa pragje eliminuese dhe deformuese, që mundëson që çdo parti, brenda koalicionit, të marrë mandatin që i takon sipas votave të fituara, duke ulur numrin e zonave zgjedhore dhe përmirësimin e procesit të administrimit mes strukturave gjithëpërfshirëse.

“Partitë bien dakord të kërkojnë dhe numërimin elektronik të votave dhe lista të hapura. Partitë do të konsultohen në vazhdimësi për çështje të tjera të sistemit zgjedhor dhe të reformës për të koordinuar veprimet e mëtejshme. Partitë ranë dakord që nga kjo tavolinë të nisë puna për një tryezë tjetër, ajo e ekspertëve për të detajuar mendimet dhe përgjithësuar përvojën, që aty ku mundemi të përfaqësohemi dhe të flasim me një zë të vetëm”, theksoi Milo, në deklaratën e përbashkët të partive pjesëmarrëse në tryezën e sotme.