Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 17:25

Partitë e ashtuquajtura të vogla, si nga krahu i mazhorancës, ashtu dhe nga krahu i pozitës, janë mbledhur gjatë ditës së sotme në një tryezë për të diskutuar mbi reformën zgjedhore.

Krerët e dhjetë partive politike do t`i kërkojnë dy partive të mëdha PD-PS që të marrin parasysh kërkesat e tyre në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore që pritet të nisë nga puna këtë javë.

Në fjalën e tij kreu i PDS-së Paskal Milo ka theksuar se kjo tryezë nuk ka ndonjë prapavijë tjetër përveçse shqetësimit për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se partia që ai përfaqëson është e hapur për një sistem zgjedhor transparent që garanton lirinë e votës. Sipas tij, kjo duhet të jetë një reformë e cila të ketë në themel barazinë e votës.

“Nuk ka përse vota e një kryetari në një qark të ketë më shumë rëndësi se vota e një kryetari në një qark tjetër të vendit”, theksoi Meta ndërsa shtoi se më e rëndësishmja në këtë reformë është forcimi i besimit të qytetarit tek vota e tij.

Të gjitha partitë politikë kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar, për të bërë të mundur numërimin e të gjitha votave si të vlefshme në të gjithë vendin. Gjithashtu ato kërkojnë të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore për sa kohë që këto komisione do të jenë propozime të partive politike. Partitë e vogla thonë se janë për lista zgjedhore të hapura.