Lajme Shqip Tuesday, 01 October 2013 16:16

Pas ndihmës prej 10 eurove për Vetëvendosjen, Partia e Fortë I ka dalë në ndihmë edhe PDK-së duke plotësuar pyetësorin e Agim Çekut. 

“Pas pranimit të pyetësorit të shpërndarë nga zyra e z.Agim Çeku, duke u nisur nga fakti që shumica absolute e njerëzve nuk do t’i përgjigjen këtij pyetësori, Kryetari i Partisë së Fortë ka vendosur t’i drejtohet atij me një letër publike, ku i ofron asistencë miqësore.

Duke e pasur parasysh që z.Çeku është banor i ri i Prishtinës, PF mirëkupton mungesat dhe zbraztësitë eventuale në përndryshe njohuritë e tij të thella mbi Kosovën në përgjithësi, të cilat edhe shpalosen fuqishëm në mënyrën se si janë shtruar pyetjet e këtij pyetësori.

 

Në këtë frymë, ne nuk kemi se si mos ta shfaqim admirimin tonë për guximin e z.Çeku që si kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës, të shprehë gadishmërinë e tij për t’u informuar më shumë rreth kryeqytetit dhe mënyrave më të mira për europianizimin e tij. 

Ky interesim i tij vjen 1 muaj para datës së votimit dhe tregon që gara nga ish-kryeministri është marë shumë seriozisht. Duke parë këtë seriozitet dhe duke ndjekur parimin e padiskutueshëm se konkurenca rritë cilësinë, ndihmesa për z. Çekun është ndihmesë edhe për cilësinë e garës zgjedhore në përgjithësi.

 

Fitorja në një garë jo të fortë nuk i ka hije një partie që mban emrin Partia e Fortë”, thuhet në komunikatën e PF-së.