Lajme Shqip Thursday, 10 October 2013 23:20

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka deklaruar se ai dhe Fatmir Limaj nuk po nguten për ta formuar partinë e re, por ka theksuar se ata janë duke punuar në këtë drejtim. “Jemi duke biseduar me njerëz në të gjitha qytetet, por ajo çka ne duam është të mos ngutemi që të formojmë subjektin e ri, e që ai të mos jetë subjekt i një lideri”, ka thënë Krasniqi në emisionin Rubikon të KTV-së.

 

Ai ka thënë se kjo parti nuk do të përfshinte vetëm njerëz të pakënaqur brenda PDK-së, por nga të gjitha partitë, dhe sipas tij, të tillë ka mjaftë shumë.

 

Ai nuk ka dashur të flasë për kohën se kur ata do të dalin me subjektin e ri politik, por sipas tij, duhet të formohen parti “për të krijuar favore për të gjithë qytetarët, për të ngritur kualitetin e jetës për të gjithë qytetarët”. Ai ka akuzuar partitë politike në skenën kosovare se nuk janë të gatshme të respektojnë sundimin e ligjit.

 

Krasniqi ka thënë se ai nuk ka probleme personale me askënd në PDK e as me kryetarin e saj, por që nuk pajtohet me politikën që e bën Thaçi. Sipas tij, “shumë ministra dhe deputetë kurrë nuk do mund të merrnin ato pozita po të mos ishte Hashim Thaçi, prandaj edhe i keqpërdorin pozitat e tyre”. Kryeparlamentari i ka quajtur të pa moralshëm kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave, ndaj të cilëve tashmë kanë filluar proceset gjyqësore.