Lajme Shqip Thursday, 23 August 2012 14:02

Prishtinë – Përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe të komunës së Parteshit (komunë e re me shumicë serbe e Paketës Ahtisaari) i dorëzuan sot çelësat e shtëpive të sapo ndërtuara familjeve përfituese.

Para se të vendosen në shtëpitë e reja të mobiluara, familjet e zhvendosura kanë jetuar me vite në kushte të vështira në qendrat kolektive dhe në strehime private. Kthimi i 12 familjeve është pjesë e programit të përbashkët të BE-së dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim “Kthimi dhe Ri-integrimi në Kosovë”, i cili siguron për familjet e zhvendosura shtëpi të reja si dhe ofron mundësi për riintegrim jetëgjatë dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Christof Stock, Udhëheqës i Operimeve në Zyrën e BE-së/PSBE, tha se “të kthehesh në shtëpi nuk është vetëm të kesh kulm mbi kokë. Ky program i përbashkët i BE-së dhe Qeverisë së Kosovës përshëndet edhe rëndësinë e mirëqenies së familjeve të kthyera, duke krijuar kështu mundësi të barabarta për arsimim, qasje në kujdesin shëndetësor dhe zhvillim afarist për familjet e kthyera”.

Radojica Tomic, ministër kosovar për Komunitete dhe Kthim, tha se “ngjarja e sotme konfirmon bashkëpunimin e mirë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Bashkimit Evropian. Faza e parë e këtij projekti ka përfunduar me sukses falë partnerit tonë implementues, Organizatës Ndërkombëtare për Migrim dhe Komunës së Parteshit”.

Bashkimi Evropian po kontribuon me 4 milionë euro dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim me 1.1 milion euro në këtë fazë të projektit, i cili implementohet në komunën e Parteshit, Novobërdës, Shtërpcës, Suharekës dhe Prizrenit. Gjatë kësaj faze priten të kthehen deri në 200 familje.

Që nga viti 2003, BE-ja ka alokuar më shumë se 40 milionë euro për kthimin e minoriteteve dhe nevojat e tyre në mbarë Kosovën. Rreth 1 050 familje janë kthyer me ndihmën e këtij programi deri më sot.(LajmeShqip.com)