Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 23:03

Prishtinë- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, pas takimit me kryetarin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, është pritur sot pasdite nga zëvendëskryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Hans Ulrich Klose dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni. 

Në emër të komisionit që përfaqëson, Klose shprehu kënaqësinë për takimin dhe mundësinë për t’u njohur me zhvillimet e fundit politike, ekonomike e të sigurisë në Kosovë. Ai konfirmoi, gjithashtu, qëndrimin e pa luhatur të Gjermanisë në mbështetje të Kosovës edhe në të ardhmen, njoftoi sonte zyra e shtypit e Kuvendit kosovar.

Kryetari Krasniqi i njoftoi parlamentarët gjermanë me zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht me situatën në veri.

Duke iu përgjigjur interesimit të tyre për këto zhvillime, pas plagosjes së disa ushtarëve të KFOR-it, përfshirë edhe ushtarë gjermanë, Krasniqi tha se institucionet e Kosovës nuk ndjehen mirë përderisa të mos sundojnë rendi e ligji edhe në atë pjesë të vendit.

Ai shprehu keqardhjen që në një pjesë të territorit të Kosovës sulmohen dhe plagosen paqeruajtësit, dhe shtoi se institucionet e Kosovës po bashkëpunojnë me KFOR-in, EULEX-in dhe me mekanizmat e tjerë relevantë ndërkombëtarë, në mënyrë që rendi e ligji të vendosen në çdo pjesë të territorit të Kosovës. 

Në përgjigje të interesimit të parlamentarëve gjermanë për përfaqësimin e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi bëri një përshkrim të përbërjes parlamentare dhe foli posaçërisht për pjesëmarrjen aktive të komuniteteve pakicë në jetën parlamentare në Kosovë, duke shtuar se integrimi i tyre në Kuvend është i kënaqshëm.

“Si Kuvend i një shteti të ri, jemi duke krijuar një praktikë demokratike parlamentare dhe si model për këtë kemi traditat demokratike të vendeve të tjera evropiane e më gjerë”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Pas këtij takimi, delegacioni u prit në takime të veçanta edhe nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Berlinit, Ralf Ëieland dhe nga përfaqësues të Grupit Parlamentar të Bundestagut, Aleanca 90 të Gjelbrit.