Lajme Shqip Saturday, 15 August 2015 14:30

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes një komunikate dërguar mediave sot, ka vlerësuar se pas çdo paraqitjeje të ministres Edita Tahiri fshihet dëshira për të parandaluar të drejtën për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, serbëve dhe shqiptarëve.

“Dërgimi i porosive nacionaliste, në vend të porosive të pajtimit, nuk do t’u ndihmojë as shqiptarëve e as serbëve”, thuhet në reagimin e kësaj zyre, raporton Koha.net.

Sipas kësaj zyre, dialogu nuk është dhe nuk duhet të jetë vazhdim i luftës me mjete tjera.

“Tahiri, në vend të porosive të zbrazëta kërcënuese dhe hapjes së problemeve të reja, do të duhej të përqendrohej në gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet i gjithë populli në Kosovë e Metohi”, theksohet më tej në këtë reagim.

Ky reagim i kësaj zyre erdhi pasi Tahiri, duke folur për mediat tona, paralajmëroi se edhe Kosova do të aplikojë targa provuese për qytetarët e Serbisë.