Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 19:35

Tiranë – Avokati i Popullit, Igli Totozani e ka dënuar qëndrimin e zv. ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahia, lidhur me paradën gay të paralajmëruar nga ambasada Pink.

Sipas një njoftimi për shtyp, Totozani i ka bërë thirrje zv/ministrit Spahia të kërkojë falje publike për fjalët që ka thënë.

“Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike, nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë dhe pjesërisht e vërtetë. Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerances, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj, deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen, duke përbërë kështu edhe një vepër penale “, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se Avokati i Popullit apelon çdo zyrtar shtetëror të çdo niveli, mbi papajtueshmërinë flagrante të këtyre deklaratave me procesin e integrimit, pasi sipas tij vlera dhe mendësi të tilla dëmtojnë integrimin.

Pas deklaratave të komunitetit LGBT, se në datën 17 maj do të organizojnë një parade gay, një nga të përditshmet shqiptare ka pyetur disa aktivistë të të drejtave të njeriut, lidhur me këtë nismë dhe midis tyre është pyetur dhe zv/ministri Spahia. Ai është përgjigjur se nuk ka asnjë koment “Vetëm t’i kapë në hu. ‘Hu’ është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose e thënë ndryshe shkopinj gome”.