Lajme Shqip Tuesday, 08 September 2015 08:07

Gjykata e Apelit e ka gjykuar si të paligjshëm paraburgimin e Alban Morinës. E ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës duke i dhënë mundësinë që të qëndrojë në liri derisa dënimi prej tre muajsh burgim për kërcënim të ministrit Arban Abrashi dhe djalit të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut, të marrë formën e prerë.

Kësisoj, 23-vjeçari nga Rixheva e Klinës është mbajtur kot shtatë net në qelinë e paraburgimit. Ai nuk përbënte asnjë rrezik për “viktimat” e tij dhe as që bëhet fjalë për arratisje nga Kosova, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vlerësimet i ka dhënë të hënën një kolegj prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, që ka thënë se asnjë prej tri kushteve për caktimin e paraburgimit; që janë përsëritja e veprës, ndikimi në dëshmitarë dhe arratisja, nuk ishin përmbushur.