Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 11:35

Punimet që po bëhen aktualisht në sheshin “Skënderbej”, janë për një periudhë vetëm tre vjeçare. Pasi pas tre vitesh kur Bashkia e Tiranës të përfundojë projektin e ri të këtij sheshi, ai pritet që të rikthehet sërish pedonal, por risia do të jetë se do të ketë kalime nëntokësore për automjetet.

Kjo gjë është deklaruar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti. “Qëllimi i Bashkisë së Tiranës është që të mundësojë zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit dhe të mundësojë lehtësimin e jetesës për qytetarët. Në projektet urbanistike që do të prezantohen ditët në vijim ne jemi përqendruar për të krijuar një qytet miqësor për mjedisin dhe qytetarët”, – ka thënë Panariti duke shtuar se “Në projektet e Bashkisë të cilat do pasqyrohen në planin e ri urbanistik është edhe projekti i sheshit Skënderbej, i cili do të kthehet në një shesh për këmbësorët por pa eliminuar lëvizjen e automjeteve që do të bëhen nëpërmjet rrugëve nëntokësore”.

Këtë deklaratë nënkryetari i Bashkisë, e ka bërë publikisht gjatë një ceremonie në hapjen e një universiteti privat në Tiranë. Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës sqaron se punimet në sheshin “Skënderbej”, që futen në atë që ata e kanë quajtur faza emergjente, do të mbyllen në datën 15 nëntor, ku do të mbyllen jo vetëm punimet në rrugë por edhe ana estetike, që përfshin gjelbërimin dhe ndërtimin e lulishteve.

Ky institucion konfirmon gjithashtu se paratë që po shpenzohen aktualisht për sheshin Skënderbej nuk janë nga fondi i qeverisë Kuvajtiane, pasi ky fond do të përdoret për projektin e sheshit i cili do nisë të zbatohet pas tre vitesh së bashku me projektin e zgjatimit të bulevardit “Zogu I” dhe ndërtimin e terminalit të ri të stacionit të trenit, por janë nga të ardhurat e Bashkisë. Por nuk pranojnë të bëjnë publike shifrën që po shpenzohet për këto punime, të cilat do të kenë një jetëgjatësi më pak se tre vjet.

“Punimet që po bëhen në sheshin “Skënderbej” në këtë fazë emergjente, nuk po bëhen me fondin e dhënë nga Kuvajti, por me paratë e Bashkisë. Veç asaj edhe punimet nëntokësore, që janë bërë gjatë fazës së parë, siç është dhoma e kontrollit në afërsi të Xhamisë, nuk janë dëmtuar, por do të shërbejnë për projektin e ri që do të bëhet pas një studimi të imtësishëm, – kanë bërë të ditura burime zyrtare pranë Bashkisë, duke sqaruar se hapja e sheshit për makinat por edhe përfundimi i gjelbërimit të tij, do të bëhet brenda datës 15 nëntor. (Gazeta Shqiptare)