Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 16:28

TIRANË- Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, në një prononcim për mediat komentoi vizitën e tij në Greqi. Panariti tha se në takimin me homologun e tij Dimitris Avramopulos ai adresoi disa çështje të rëndësishme, ndërsa shtoi se takimi u konsiderua produktiv edhe nga pala greke.

“Kjo ishte një vizitë e suksesshme. Edhe pala greke e cilësoi kështu, produktive dhe që projekton marrëdhëniet e së ardhmes mes dy vendeve tona. Pikërisht në këtë frymë adresova problemet që ka dosja shqiptaro-greke, që nga çështja çame dhe pronat e tyre”, tha ai.

Kreu i diplomacisë shqiptare siguroi që edhe Greqia e ka ngrirë marrëveshjen e parë të ujërave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se edhe homologu i tij kërkonte një marrëveshje të re, të respektuar nga të dy vendet.

Për marrëveshjen e ujërave, e sigurova homologun tim se ne respektojmë frymën e Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare, i thashë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më marrëveshje dhe që duhet të punojmë për marrëveshje të re, që të mos kontestohet nga asnjëri prej vendeve.
“Marrëveshja e vjetër është e ngrirë edhe nga shteti grek. Kjo më bën të shpresoj që do pranojnë një marrëveshje të re. Athina është e gatshme për dialog”, shtoi ai.

Panariti shtoi më tej se, e ka cilësuar absurd mbajtjen e ligjit të luftës mes dy vendeve.
“Kërkova aborgimin e ligjit të luftës, ky ligj tërësisht jashtë kohe dhe absurd për dy vende që janë anëtare të NATO-s. Shpresoj që pala greke të ketë vullnet dhe të gjejë mënyrat për ta aborguar”, tha Panariti. (LajmeShqip.com)