Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 15:59

Athinë – Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti takoi sot në mesditë në Athinë, ministrin e Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos.

Krerët e diplomacive të dy vendeve ranë dakort të institucionalizojnë takime dy herë në vit, për të çuar më përpara marrëdhëniet mes dy vendeve. Lidhur me çështjen shumë të përfolur të marrëveshjes së ujërave, të dy ministrat deklaruan vullnetin që ajo të marrë zgjidhje.

Sipas ministrit shqiptar, Edmond Panariti, Edmond Panariti “Shqipëria ka dëshirën për të tejkaluar çka mbetur pezull në Marrëveshjen për kufijtë detarë, bazuar në kushtetutat kombëtare të dy vendeve dhe të drejtës ndërkombëtare”. 

Panariti falënderoi homologun grek për mbështetjen e dhënë në promovimin e marrëveshjes për gazsjellësin TAP dhe theksoi se si minoriteti grek në Shqipëri ashtu edhe komuniteti shqiptar në Greqi, janë “ura të miqësisë” mes dy vendeve. Ai ka sugjeruar zgjerim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës dhe arsimit duke theksuar domosdoshmërinë e riaktivizimit të komisioneve të përbashketa te bashkepunimit ekonomik.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e cilësoi të rëndësishme vizitën e ministrit shqiptar dhe garantoi mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë. Zoti Avramopulos theksoi vullnetin e përbashkët për të nënshkruar marrëveshjen për TAP si dhe për të zgjidhur shpejt çështjet e pazgjidhura në Marrëveshjen për delimitimin e zonave detare. Në fund ai u shpreh se të dy vendet janë aleatë në NATO, nesër në BE, partnerë dhe fqinjë me interesa të përbashkëta, dhe theksoi se minoriteti grek kombëtare “Ura e miqësisë mes dy popujve”.

Po sot, ministri i Jashtëm shqiptar takoi edhe presidentin e Greqisë, Karolos Papulias. Ministri shqiptar e cilësoi presidentin grek “mik i dashur i shqiptareve” dhe e ftoi atë të jetë i pranishëm në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Kemi përballuar kriza bashkërisht. Kemi kapërcyer dhe ndajmë sfida të përbashkëta, ndaj duhet të heqim paragjykimet përmes dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë”, deklaroi Panariti. Presidenti grek tha se ka besim te vullneti i dy popujve për të kapërcyer problemet që ekzistojnë në mes dy vendeve. “Jam mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe vlerësoj progresin e madh që ka shënuar Shqipëria drejt BE”, deklaroi Papulias dhe siguroi mbështetjen e Greqisë në përpjekjet e Shqipërisë për integrim. Presidenti grek tha gjithashtu se “emigrantët shqiptarë kanë dhënë kontribut të madh në zhvillimin e ekonomisë greke”.

Vizita e ministrit Panariti është e para e një diplomati të lartë shqiptar, pas 8 vjetësh, në Greqi. (LajmeShqip.com)