Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 17:45

Tiranë -Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Etttore Sequi, u shpreh sot gjatë takimit të Komitetit Drejtues të Misionit Policor të Bashkimit Evropian, PAMECA-s se BE është e angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Pergjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj si dhe personalitete të tjera, ambasadori Sequi tha se “këtë vjeshtë që vjen, ashtu si edhe vitin e  kaluar, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse Shqipëria ka plotësuar 12 prioritetet kyçe që janë  identifikuar në nëntorin e vitit 2010”, duke shtuar se “në bazë të këtij vlerësimi do të vendoset nëse Shqipëria është gati për të hedhur hapin tjetër drejt integrimit në BE apo jo”.

“Bashkimi Evropian është angazhuar për të ardhmen tuaj si anëtar nëse përmbushni kriteret për anëtarësim. Por ne jo thjesht ulemi dhe presim që ju të përmbushni këto kritere. Kemi dhënë vlerësime objektive mbi ecurinë tuaj dhe angazhim, mbështetje dhe fonde për të ndihmuar Shqipërinë që t’i përmbushë këto kritere”, u shpreh Sequi. 

“Insitucionet e Shqipërisë, ashtu si dhe të gjithë aktorët e tjerë janë plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë”, vijoi ambasadori i BE-së.  Ai tha se ne “kemi ofruar ndihmën tonë për t’iu ofruar modelet më të mira për të garantuar shtetin e së drejtës qytetarëve shqiptarë, për ligje më të mira, gjykata më të mira, burgje më të mira, polici më të mirë, prokurorë më të mirë, gjykatës më të mirë që të gjithë ju të luftoni korrupsionin, trafikun, krimin e organizuar përfshirë, pastrimin e parave dhe trafikimin e qënieve njerëzore”. (LajmeShqip.com)