Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 19:00

Tiranë – Deklarata e ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano se po kërkon partnerë për vota që të mbështesin kandidaturën e tij për postin e Presidentit të Republikës, vitin e ardhshëm, ka sjellë jo pak reagime.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka e sheh ish-kryetarin e socialistëve si një figurë politike me përvojë, por vota pro ose kundër tij mbetet një çështje e vendimit politik të partisë.

“Fatos Nano, si kushdo tjetër ka të drejtë të pretendojë për t’u zgjedhur në këtë post. Ai është një politikan me përvojë të gjatë që ka drejtuar partinë e dytë më të rëndësishme në vend, por sigurisht duhen disa faktorë që të jesh president i vendit. Në fund vendosin deputetët dhe grupet se kë do të votojnë”, u shpreh deputeti Paloka.

Dy ditë më parë në një interviste televizive, ish-kreu i PS-së, pyetjes nëse është i vendosur të kandidojë për postin e Presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, iu përgjigj se po është “shumë i vëmendshëm, për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”.