Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 12:08

Prishtinë – Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tij sot pritet ta dorëzojnë në Gjykatën Supreme të Kosovës kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë ndaj aktvendimit të kolegjit të kësaj gjykate për mos heqjen e masës së paraburgimit për të akuzuarit në rastin “Kleçka”, të cilën ia pati caktuar trupoi gjykues i Gjykatës së Qarkut.

Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, ka shprehur optimizëm se pas shqyrtimit të kësaj kërkese supremja në shkallë të tretë do ta anuloj vendimin e paraburgimit të Limajt dhe të ish-bashkëluftëtarëve të tij.

“Mbrojtës të ligjshmërisë nënkupton propozimin e argumenteve ligjore të palës mbrojtëse, duke kërkuar kontestim të aktvendimit të Kolegjit të Gjykatës Supreme dhe të Trupit Gjykues të Gjykatës së Qarkut në mënyrë që Limaj të mbrohet në liri”, ka thënë Rrecaj.

Avokati Rrecaj ka bërë me dije se në fillim të javës së ardhshme pritet të shqyrtohet kërkesa e palës mbrojtëse për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastin “Kleçka”.(Epoka e re)