Lajme Shqip Saturday, 22 August 2015 08:03

Delegacionet e Beogradit e të Prishtinës i kanë harmonizuar qëndrimet. Të punësuarit në Asociacionin e Komunave serbe zyrtarisht do të quhen “të punësuar në sektorin publik” (civil servants – shërbyes civilë), merr vesh gazeta serbe Politika nga qarqe diplomatike në Bruksel.

Është arritur pajtimi që AKS të ketë kompetenca ekzekutive në fushat që tash i kanë komunat në Kosovë, siç janë punët infrastrukturore e komunale dhe mbikëqyrje në fushën e shëndetësisë e të shkollimit.

Ky plan ka marrë edhe përkrahjen e BE-së dhe pritet që të mërkurën e ardhshme në Bruksel marrëveshjen ta nënshkruajnë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Dy delegacionet kanë qenë afër marrëveshjes më 29 korrik në Bruksel, por kryeministri i Kosovës Isa Mustafa kishte kontestuar propozimin e Serbisë që të punësuarit në AKS të jenë “nëpunës shtetërorë”, transmeton Koha.net.

Pas këtij kundërshtimi, Beogradi kishte propozuar që nëpunësit e AKS-së të quhen “të punësuar në sektorin publik”. Këtë propozim e përkrahu Brukseli ndërsa gazeta serbe shton se pas presioneve konstante të BE-së dhe të ShBA, pala shqiptare e pranoi propozimin.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar se në bisedime me Prishtinën janë harmonizuar shumë çështje dhe ka shtuar se kanë mbetur edhe dy-tri gjëra për t’u marrë vesh. Ai nuk ka treguar cilat janë këto gjëra për të cilat do të bisedohet më 25 gusht.