Lajme Shqip Sunday, 11 September 2011 11:09

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar në Lubjanë kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Burimet nga qeveria kosovare bënë të ditur se në takim është diskutuar për forcimin dhe bashkëpunimin e dy vendeve mike, për mbështetjen sllovene për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për temat tjera me interes.

Kryeministri Thaçi i shprehu mirënjohjen kryeministrit Pahor për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë avancimit të proceseve demokratike dhe zhvillimit në Kosovë dhe shtoi se bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë ëhstë modeli më i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm të vendeve të rajonit.

Thaçi theksoi rëndësinë e mbështetjes sllovene për qeverinë kosovare lidhur me procesin e integrimeve evropiane, e posaçërisht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë drejtim, kryeministri kosovar mori mbështetjen e homologut të tij slloven, që Sllovenia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

Nga ana e tij, kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, vlerësoi lartë bashkëpunimin mes Qeverisë së Sllovenisë dhe Qeverisë së Kosovës duke shprehur bindjen se ky proces i bashkëpunimit do të avancohet në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Pahor theksoi se perspektiva e Kosovës është e qartë “ajo është perspektiva evropiane dhe në këtë proces të rëndësishëm Sllovenia do të jetë mbështetësja e Kosovës”.