Lajme Shqip Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 14:46

Prishtinë – Të dy, Mujë Rugova dhe Mehdi Jashari, janë mësimdhënës me përvojë të gjatë në Universitetin e Prishtinës dhe ka rreth dy vjet që kanë mbërritur moshën e pensionit. Ata janë akoma në Universitet, por ka dy gjëra që i dallon – funksioni dhe të ardhurat që marrin.

Rugova, profesor i kimisë, është rektor i UP-së, e Jashari, që tani ligjëron notin, i është lënë të mbajë tri orë mësimi në javë në Fakultetin e Sporteve. Që të dy kanë realizuar të ardhura gjatë tetorit. Bazuar në listën e pagave, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, Rugova ka marrë fiks 143 herë më shumë para sesa Jashari.

Të jesh në mesin e shefave në këtë Universitet publik, lë pas me të ardhura jo vetëm kolegët që kanë gradën më të lartë akademike, por edhe drejtuesit më të lartë të shtetit. Për muajin tetor Universiteti ka paguar njerëz deri në 8 mijë euro.

Metë rektori Mujë Rugova – i cili po t’u bindej ligjeve do të merrte vetëm pensionin prej 80 eurosh që nga 16 marsi i 2010-s, kur ka mbushur të 65-at – ka realizuar të ardhura për tetor në lartësinë 5,112.63 euro. Këtë nivel e ka mbërritur duke stimuluar veten dhe duke e futur nëpër komisione.

Paga e rektorit është 1 643 euro. Në ekuacionin e tetorit janë përfshirë “stimulimi” prej 1 790 eurosh, “kompensimi” prej 1 579 eurosh dhe 100 euro të tjera, të arsyetuara me pjesëmarrjen e rektorit në program të doktoratave.

E profesori Jashari për të njëjtin muaj ka realizuar të ardhura vetëm në lartësinë 35.74 euro. Edhe këto nuk i ka marrë, ngaqë ka një marrëdhënie të komplikuar kontraktuale me UP-në.

“Për tetor akoma s’i kemi marrë”, ka thënë ai. “Akoma as kontratat nuk i kanë kryer”.

Dhe, nuk është vetëm rektori që “stimulohet” për punën që bën. Ka anëtarë të ekipit të ngushtë të tij në Rektorat që realizon të ardhura, me të cilat e tejkalon Rugovën. Rasti është me prorektorin për financa, Enver Kutllovci. Në xhepin e tij UP-ja ka arkëtuar për muajin tetor fiks 6, 925.33 euro. Nga rreth 2 mijë euro më pak kanë marrë dy prorektorët e tjerë, Naser Mrasori e Bajram Berisha.

Nga anëtarët e Këshillit Drejtues është Nijazi Ibrahimi, që ka marrë gjatë muajit të ardhurat më të larta. Fiks 5,168.78 euro i janë arkëtuar atij.